October 18, 2024
Maqedoni

Azir Aliu nga Sllovenia: Të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ofron transformimi digjital

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Azir Aliu ndodhet për vizitë zyrtare në Slloveni, ku merr pjesë në edicionin e 18-të, të Forumit Strategjik të Bledit bashkë me liderët e rajonit dhe vendeve tjera europiane. Ministri Aliu ishte pjesë e Panelit të ministrave, i cili këtë vit si temë diskutimi kishte “Transformimi Digjital në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Gjatë fjalës së tij, theksoi se duhet të shfrytëzohen mundësitë që ofron transformimi digjital.

“Tranformimi digjital është shumë më i rëndësishëm dhe ne së bashku duhet të paraqesim më shumë mundësi dhe ndihmë për popujt tanë, si në mënyrë bilaterale ashtu edhe në mënyrë rajonale, duke përdorur mundësitë që ofron transformimi digjital, kjo gjë bëhet e mundur përmes bashkëpunimit dhe mbështetjes të partnerëve për transformimin digjital të rajonit drejt integrimit në BE, në një treg të vetëm digjital”- deklaroi ministri Aliu.

Gjithashtu ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, ndau me të pranishmit nismat që ka ndërmarë qeveria e vendit tonë në rrugën e saj drejt transformimit digjital. “Zhvillimi i infrastrukturës së informacionit dhe teknologjisë është prioriteti i ministrisë dhe pjesë e objektivave strategjike kombëtare, për zhvillim e integrimit. Jemi në proces të krijimit të Agjencisë Digjitale e cila ka katër shtylla kryesore, me qëllim pêr të promovuar teknologjitë e reja, për të zhvilluar gjeneratën e ardhshme të rrjeteve, kërkimit dhe inovacionit” – përfundoi z.Aliu.

Në margjinat e forumit Azir Aliu është paraparë të zhvilloi takime bilaterale me kolegë dhe pjesëmarës tjerë. Forumi Strategjik i Bledit konsiderohet si ngjarje kyçe rajonale. Ky forum i përvitshëm është kthyer në një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare në rajon.