Rajon - Botë

KE thirrje vendeve anëtare të ndihmojnë Italinë me migrantët

Eurokomisionerja për Punët e Brendshme, Ylva Johansson u bëri thirrje sot vendeve anëtare të BE-së të tregojnë “solidaritet” me Italinë duke u kujdesur për migrantët e mbërritur në ishullin Lampedusa ditët e fundit.

“Unë u bëj thirrje Shteteve Anëtare të ndihmojnë në zhvendosjet. E di që është më e vështirë në një periudhë pandemike, por mendoj se është e mundur”, tha zyrtarja europiane në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi.

“Është koha të tregojmë solidaritet në lidhje me Italinë”, shtoi ajo.

Johansson dhe Grandi konsideruan se kjo situatë tregoi nevojën e miratimit të Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin, i paraqitur nga KE shtatorin e kaluar, që është objekt i diskutimeve të vështira midis Shteteve Anëtare.

“Në pritje të vendosjes së një sistemi të qëndrueshëm për shpërndarje më të drejtë të migrantëve që mbërrijnë në BE midis të 27-vë, ne duhet të vendosim marrëveshje të përkohshme”, vazhdoi Johansson, duke pranuar se ato bazoheshin vetëm në vullnetin e mirë të vendeve anëtare.

Më shumë se 1 400 migrantë në bordin e rreth 15 anijeve mbërritën këtë fundjavë në ishullin e vogël Lampedusa, në Italinë e Jugut, sipas medieve italiane.