Maqedoni

Mexhiti: Rreth 30 për qind e pacientëve në Klinikë terapitë do t’i marrin nga mjeku amë

Rreth 30 për qind e pacientëve të cilët gjatë ditës vijnë në Qendrën klinike vijnë tek specialisti për vazhdimin e terapisë ose shërbime, të cilat me reformën do të mundë t’i marrin tek mjeku i tyre amë. Këtë e deklaroi sot ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti gjatë vizitës te mjekja amë Marta Tunxheva.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, ndër të tjera, Mexhiti tha se kanë për qëllim që Fakulteti i Mjekësisë të renditet në listën e Shangait në nivelin më të lartë.

Ai kujtoi masën e reformës së nisur që u mundëson mjekëve amë të përshkruajnë terapi për pacientët e tyre. Me këtë, theksoi ai, arrihen disa ndryshime thelbësore dhe avancime, si për pacientët ashtu edhe për punonjësit shëndetësor.

Ai tha se mjekët amë e dinë shumë mirë gjendjen shëndetësore të pacientëve të tyre, zhvillimin e sëmundjes, sepse janë shumë shpesh në kontakt me ta.

Dhe e treta, shumë e rëndësishme, shtoi ai, do të ulet presioni mbi shëndetësinë sekondare dhe terciare dhe ndaj klinikave.

“Sipas analizave tona, rreth 30 për qind e pacientëve të cilët gjatë ditës vijnë në Klinikë, vijnë te specialisti për t’i vazhduar terapitë ose shërbimet të cilat me këtë reformë do të mundë t’i marrin nga mjeku i tyre amë. Ky është një hap i madh drejt lehtësimit të turmave, lehtësimit të punës së klinikave dhe në fund, shërbime më të mira për pacientët, si dhe kushte më të mira për mjekët”, deklaroi Mexhiti.

Ai tha se siç ka paralajmëruar tashmë, reforma kalon në disa faza.

Ai vlerëson se kjo masë është në interes të të gjithë pacientëve.

Koordinatori i reformave në shëndetësinë primare, Zllate Mehmedoviq, deklaroi se lista e barnave do të zgjerohet, sipas programit të përcaktuar në reforma.

Ndërkaq, Marta Tunxheva tha se sot në mëngjes është avancuar sistemi sepse e kërkonte programi. Ajo shtoi se sistemi tani po funksionon dhe sqaroi se bëhet fjalë për pesë barna nga pesë grupe të ndryshme, të cilat do të përmirësohen në të ardhmen. Sipas saj, në farmaci nuk do të ketë asnjë problem, sistemi është i lidhur përmes “Termini im”. Ajo theksoi se do të përfitojnë të gjithë, do të përfitojnë të gjithë pacientët kronikë dhe familjet e tyre dhe se kjo është për sistem më të shëndetshëm.