Në rrugën drejt BE-së: Janë vendosur fundamente të qëndrueshme në financat publike dhe ekonomi tregu funksionale
Shkruan: Fatmir Besimi, Ministër i Financave
Shumë herë, udhëtimi është po aq i rëndësishëm sa destinacioni. Rruga drejt anëtarësimit të plotë në BE, përmes krijimit të shoqërisë demokratike, si dhe ekonomisë së qëndrueshme të tregut dhe konkurruese është po aq e rëndësishme sa vetë anëtarësimi. Anëtarësimin në BE duhet ta shohim si konfirmim dhe portë për mundësi të reja për vendin dhe qytetarët tanë, pasi ta kemi kryer më parë detyrën kryesore, me ç’rast “do ta sjellim Evropën në shtëpi” dhe do t’i zbatojmë reformat që do të sigurojnë zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Sipas ekonomistit të njohur Joseph Stieglitz – “Zhvillimi nuk është vetëm transformim i ekonomisë por edhe transformim i jetës së qytetarëve”. Anëtarësimi në BE dhe procesi i aderimit ka të bëjë me avancimin e strukturës së ekonomisë dhe konvergjencën drejt ekonomive të zhvilluara të BE-së, krijimin e sistemit social funksional përmes sundimit të ligjit dhe përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe gjithçka tjetër që do të sigurojë jetesë më të mirë për qytetarët tanë.
Dhjetë ditë më parë, Komisioni Evropian publikoi draftin e raportit të parë nga skriningu i vendit tonë, i cili i referohet një grupi kapitujsh, respektivisht Klasteri 1 – Fundamente (themele). I frymëzuar nga përmbajtja e tij, por edhe nga vetë rëndësia e këtij dokumenti për procesin e mëtejshëm të integrimit evropian, doja të bëja një përmbledhje lidhur me vlerësimet, indikacionet e dhëna nga Komisioni Evropian dhe hapat e ardhshëm.
Shkurtimisht për procesin e aderimit në BE
Që lexuesi ta ketë më të qartë se për çfarë raporti bëhet fjalë – shkurtimisht për procesin e aderimit në BE. Një vend që aspiron të anëtarësohet në BE i parashtron aplikim Këshillit, i cili përbëhet nga të gjitha vendet anëtare. Komisioni Evropian përpilon mendim në bazë të aplikimit, për të cilin, sipas parimit të unanimitetit të të gjitha vendeve anëtare, votohet dhe merret vendim.
Pasi të plotësohen kushtet për statusin e kandidatit, hapen negociatat, pas pëlqimit të vendeve anëtare. Komisioni Evropian më tej propozon kornizë për negociatat. Gjatë negociatave, të cilat janë strukturuar në disa kapituj të ndarë në klastere, vendet kandidate përgatiten për zbatimin e ligjeve dhe standardeve të BE-së. Pas përfundimit të negociatave në të gjitha fushat, Komisioni jep mendimin e tij lidhur me gatishmërinë e vendit për t’u anëtarësuar. Në bazë të mendimit të KE-së, anëtarët marrin vendim për mbylljen e negociatave, për të cilat pëlqim duhet të japë edhe një organ tjetër thelbësor në BE – Parlamenti Evropian. Procesi i aderimit përfundon me ratifikimin e marrëveshjes së aderimit nga vendet anëtare.
Negociatat zhvillohen në bazë të kapitujve të ndarë në 6 klastere (Fundamentet; Tregu i brendshëm; Konkurrenca dhe rritja inkluzive; Axhenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; Marrëdhëniet e jashtme). Për çdo klaster, negociatat fillojnë veçmas, pas përmbushjes së kritereve (të njohura si benchmarks).
Klasteri Fundamente hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit, ndërsa progresi në bazë të themeleve, në fakt përcakton të gjithë rrjedhën e negociatave. Si rezultat i kësaj është edhe rëndësia e madhe e draftit të raportit të KE-së për këtë klaser. Me “fundamente” nënkuptohet funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike (përfshirë edhe menaxhimin e financave publike), sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, kontrolli ndërkufitar, ekonomia funksionale e tregut, prokurimet publike, statistikat, menaxhimi dhe kontrolli financiar.
Gjatë publikimit të këtij raporti, publiku në vendin tonë mund të jetë fokusuar më shumë tek sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e njeriut dhe reforma në administratën publike. Por, ekonomia dhe mirëmenaxhimi i financave publike janë po aq të rëndësishme. Prandaj, këtë kolumnë ia kam dedikuar analizës dhe rekomandimeve për këtë pjesë të Klasterit Fundamente.
Progres i theksuar në financat publike
Më lejoni të filloj me resorin tim – menaxhimin e financave publike. Në raport, Komisioni Evropian thekson se Qeveria ka përparuar dukshëm në fushën e përgatitjes, zbatimit dhe raportimit të buxhetit. Zbatimi i Programit të reformave në financat publike karakterizohet nga niveli i lartë i transparencës, ndërsa miratimi i Ligjit të Buxheteve mundëson zbatimin e reformave më të rëndësishme në buxhetim, të cilat rrisin qëndrueshmërinë fiskale (buxhetimi afatmesëm, Sistemi i Njësuar Informativ për Menaxhimin e Financave Publike – IFMIS, themelimi i këshillit fiskal dhe vendosja e rregullave fiskale). Këtyre reformave u duhet edhe më shumë shpejtësi, që të arrihet reforma gjithëpërfshirëse dhe ambicioze e inkorporuar në Ligjin e ri të Buxheteve, me ç’rast vendi ynë duhet të miratojë plan aksional dhe ta përshpejtojë vendosjen e strukturave të reja institucionale të parapara në Ligjin e Buxheteve dhe për të siguruar në kohën e duhur kuadër adekuat në njësitë kryesore reformuese në Ministrinë e Financave, DAP dhe Drejtorinë Doganore.
Më lejoni të japë një përmbledhje të shkurtër rreth reformave në financat publike. Për adresimin e të gjitha sfidave të përcaktuara përmes diagnostikimit të organizatave ndërkombëtare (PEFA, PIMA, TADAT, SIGMA) është krijuar Programi i reformave të financave publike ose “Financat publike SMART”. Kjo strategji përfshin reforma në kontrollin e brendshëm financiar publik, prokurimet publike, revizionin dhe menaxhimin e financave publike, respektivisht të gjitha aspektet e vlerësuara nga Bashkimi Evropian. Krahas miratimit të Ligjit sistemik të Buxheteve, i cili është bartës i një pjese të madhe të procesit reformues në financat publike, janë përgatitur ose po përgatiten zgjidhje të tjera ligjore, si ndryshime thelbësore të Ligjit të Financimit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Ligjit të Ndërmarrjeve Publike, Ligjit të Disiplinës Financiare etj.
Një nga reformat më të mëdha në financat publike është zbatimi i Sistemit të Njësuar Informativ për Menaxhimin e Financave Publike – IFMIS, i cili do të përmirësojë efikasitetin, përmes lidhjes së sistemeve të fragmentuara në financat publike, do të sjellë parashikueshmëri dhe kontroll më të madh në zbatimin e buxhetit. Është përgatitur dokumentacioni funksional dhe teknik për projektin dhe janë siguruar mjetet për zbatim, ndërsa Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore është në fazën përfundimtare të përgatitjes së prokurimeve publike për zhvillimin dhe zbatimin e IFMIS-it.
Gjithashtu, kontabiliteti dhe raportimi janë pikat e forta të sistemit të menaxhimit të financave publike, ndërsa transparenca e realizimit të buxhetit është rritur përmes platformës Open Finance dhe mund të avancohet në këtë drejtim.
Ndër konkluzionet e tjera, që janë në sferën e kompetencave të Ministrisë së Financave, do të përmend se KE-ja vlerëson se korniza ligjore për prokurimet publike ka nivel të lartë të harmonizimit me legjislacionin e BE-së. Korniza ligjore për kontrollin e brendshëm financiar publik është kryesisht adekuate, por miratimi i ligjit të ri, i cili është përgatitur nga Ministria e Financave është i domosdoshëm.
Vlen të theksohet edhe vlerësimi në Raportin mbi statistikat zyrtare të vendit, që ka arritur nivel të lartë harmonizimi me legjislacionin evropian dhe standardet ndërkombëtare, ku koordinator është Enti Shtetëror i Statistikave, me ç’rast edhe Ministria e Financave kontribuon nëpërmjet krijimit të të dhënave.
Përmirësimi i disiplinës fiskale
Disiplina e përgjithshme fiskale është përmirësuar me kalimin e viteve, ndërkohë që planet e të hyrave dhe shpenzimeve publike janë kredibile. Në pjesën e kritereve ekonomike, përkatësisht funksionimit të ekonomisë së tregut, si dhe nga aspekti i stabilitetit makroekonomik, Komisioni Evropian vlerëson se financat publike janë solide, si rezultat i përmirësimit të menaxhimit fiskal gjatë viteve të fundit. Qeveria punon mbi reformat për përmirësimin e të hyrave buxhetore dhe targetimin më të duhur të shpenzimeve, si dhe rritjen e pjesëmarrjes dhe realizimit të shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme.
Gjithashtu, vihet re se, krahas periudhës turbulente, me shumë sfida të mëdha si pasojë e disa krizave globale, arritëm të qëndronim në rrugën e konsolidimit gradual fiskal. KE-ja thekson se, edhe pse Qeveria siguroi përkrahje të theksuar buxhetore gjatë krizës energjetike, deficiti (4.5% e PBB-së) është në nivel më të ulët se projeksionet qeveritare (në vitin 2022). Krizat e mëvonshme kontribuan në rritjen e borxhit, si në shumicën e vendeve, por do të theksoj se si Qeveri jemi të përkushtuar në zbatimin e konsolidimit fiskal dhe në këtë mënyrë të sigurojmë qëndrueshmëri fiskale afatgjate, e cila është baza e rritjes së qëndrueshme ekonomike (në fund të muajit korrik të vitit 2023, borxhi publik ishte rreth 55% e PBB-së, ndërsa borxhi shtetëror ishte nën 50% të PBB-së). Nga viti 2020 e në vazhdim, deficiti buxhetor dhe borxhi publik ulet çdo vit, pavarësisht goditjeve eksterne të vazhdueshme ndaj ekonomisë.
Në raport theksohet gjithashtu se ndër vite janë emetuar 9 euroobligacione, me normë interesi më konkurruese, me ç’rast dëshmohet pozicionimi i mirë i vendit në tregjet e kapitalit.
Gjatë krizës energjetike të vitit 2022, e cila rezultoi nga agresioni rus kundër Ukrainës, politika fiskale dhe monetare reagoi në mënyrë përkatëse dhe të mirëkoordinuar, bazuar në përkrahjen e konsiderueshme fiskale dhe shtrëngimin monetar. Stabiliteti makroekonomik është ruajtur. KE-ja, gjithashtu thekson rëndësinë e Ligjit të Stabilitetit Financiar, me të cilin rregullohet roli i Komitetit të Stabilitetit Financiar dhe përcaktohet korniza për masat makroprudente. Stabiliteti financiar u ruajt, ndërsa niveli i kredive jofunksionale ka shënuar rënie gjatë dhjetë viteve të fundit, thuhet në raport.
Lufta kundër ekonomisë joformale dhe tregu i fuqisë punëtore
Në lidhje me sfidat e tjera strukturore, raporti vë në dukje ballafaqimin me ekonominë gri. Nga aspekti i luftës kundër ekonomisë gri, vlen të ceken të dhënat e paraqitura gjatë shqyrtimit, sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare (FMN, UNDP, GIZ). Sipas vlerësimeve, kemi të bëjmë me ulje nga 37.6% e PBB-së në vitin 2016 në 21-29% të PBB-së në periudhën 2019-2021. Megjithatë, norma mbetet e lartë dhe është e nevojshme të ndërmerren hapa të mëtejshëm për të reduktuar ekonominë gri. Nëpërmjet strategjisë aktive dhe planit aksional për luftë kundër ekonomisë gri, tashmë ka efekte adekuate në pjesën e formalizimit të punësimeve, përmes uljes së shkallës së joformalitetit nga 18.6% në vitin 2018 në 12.1% në vitin 2021.
Në tregun e fuqisë punëtore vërehen përmirësime të caktuara. Komisioni Evropian vlerëson se gjatë pandemisë, masat qeveritare i ruajtën vendet e punës, përmes subvencionimit të pagave dhe përkrahjes së likuiditetit të kompanive. Kjo u reflektua edhe në vendet e punës në industri, të cilat nuk e ndryshuan pjesëmarrjen e tyre në ato të përgjithshmet, pavarësisht rezultateve ekonomike në këtë sektor. Shkalla e papunësisë vazhdoi të shënojë rënie, më shpejt se fuqia punëtore. Megjithatë, sfidat strukturore janë ende të pranishme dhe duhet të adresohen më tej, siç është hendeku gjinor midis të punësuarve dhe papunësia tek të rinjtë. Komisioni Evropian thekson se Garancia rinore kontribuoi në uljen e papunësisë tek të rinjtë. Masat aktive të punësimit që janë në drejtim të zhvillimit të shkathtësive përkatëse për tregun e punës dhe përkrahjes së kategorive më të ndjeshme sa i përket sigurimit të punës, duhet të vazhdojnë më tej për tejkalimin e kësaj sfide strukturore.
Në rrugën e duhur drejt zhvillimit të një ekonomie tregu funksionale
Rritja ekonomike nxitet nga kërkesa e brendshme. Në raport thuhet se, konsumi privat është rritur nga të hyrat stabile, të përkrahura nga masat qeveritare si indeksimi i pagave dhe pensioneve, përkrahja e vendeve të punës, rritja e pagës minimale, lehtësimet tatimore. Ekonomia tregtare është shumë e hapur (2022: tregtia e jashtme arrin 171% të PBB-së), me BE-në si partnerin më të madh tregtar. Sektori i prodhimit industrial, duke përfshirë sektorin e orientuar drejt eksportit është shumë i ekspozuar ndaj importit. Pjesëmarrja e produkteve me vlerë të shtuar më të lartë gjatë eksportit është në rritje të vazhdueshme.
Dixhitalizimi përparon, por vlerësohet se përmes përkrahjes qeveritare dhe e-shërbimeve elektronike mund të kontribuojë në përshpejtimin e këtij procesi.
Në raport ceket gjithashtu angazhimi i vendit për respektimin e standardeve të BE-së në fushën e energjetikës dhe transportit. Kriza energjetike e vitit 2022 dhe importi i energjisë elektrike theksuan nevojën urgjente për zbatimin e reformave në këtë sektor. Këtu do t’i veçoj planet për zbatimin e axhendës së gjelbër për rritjen e qëndrueshmërisë energjetike dhe efikasitetit energjetik.
Në përgjithësi, KE konsideron se Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur në zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut, si dhe se reformat e miratuara gjatë Dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë duhet të vazhdojnë.
Një pjesë e konsiderueshme e reformave të nevojshme janë realizuar, mirëpo ka ende reforma që duhet të realizohen gjatë negociatave, por edhe si vend anëtar i BE-së në të ardhmen. Me fjalë të tjera, siç e nisa këtë kolumnë, “udhëtimi është po aq i rëndësishëm sa destinacioni” – Negociatat e aderimit po na përgatisin për të përvetësuar kondicion reformues që na duhet jo vetëm për të hyrë në BE, por edhe më pas si vend anëtar i saj.
Momenti i duhur për në BE dhe plani i zhvillimit
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para disa ditësh dha një porosi të fuqishme nga Madridi, në takimin me rastin e marrjes së presidencës spanjolle, ku theksoi se e ardhmja e BE-së nuk mund të imagjinohet pa vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë deklaratë e përkrahu edhe kryeministri i Spanjës, gjithashtu përkrahje pati edhe nga Franca dhe Gjermania, si riafirmim i procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Këto janë sinjale të qarta sa i përket momentit të eurointegrimeve, pozicionit të favorshëm të nisur nga trazirat gjeostrategjike, që duhet shfrytëzuar.
Përkrahja aktuale e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor shihet nga njoftimi lidhur me fondet shtesë dhe përfitimet e tjera në drejtim të zhvillimit të vendeve të rajonit. Sipas njoftimit të kryetares së Komisionit Evropian, nisma për përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla: Përafrimi drejt tregut të përbashkët të BE-së; Integrimi ekonomik rajonal; Përshpejtimi i reformave fundamentale dhe Stimulimi i rritjes ekonomike përmes rritjes së nivelit të fondeve aderuese.
Vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë që shumë më herët t’i ndjejnë benefitet e shtytësit kryesor të suksesit ekonomik të Bashkimit Evropian – tregut të përbashkët. Ekonomia e përbashkët rajonale mund të ndihmojë në përshpejtimin e procesit aderues në BE, por edhe për t’i bërë vendet më tërheqëse për investitorët e huaj.
Përshpejtimi i procesit reformues është gjithashtu sinjal i mirë për investitorët, ndërsa rritja e qasjes në fonde, do të kontribuojë në realizimin e projekteve zhvillimore të infrastrukturës.
Ndërkohë, axhenda reformuese duhet të vazhdojë, me ritme më të fuqishme të mundshme, gjithashtu edhe realizimi i strategjisë së brendshme për përshpejtimin e rritjes ekonomike – Plani për përshpejtimin e rritjes ekonomike. Perspektiva jonë është evropiane dhe nuk duhet të ketë hezitim. Procesi i eurointegrimeve dhe BE-ja janë ata që mund të kontribuojnë drejt qëllimit tonë më të lartë, respektivisht për mirëqenie dhe jetesë më të mirë për qytetarët tanë, me perspektivë më të gjerë.