Kosovë

Abdixhiku tallet me Kurtin për projektin e rrugës Prizren-Tetovë: Muhabetet s’kushtojnë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se qeveria Kurti është duke e përmbyllur vitin e tretë të qeverisjes pas asnjë rrugë të ndërtuar.

Ai duke iu referuar projektit të proklamuar nga kryeministri Albin Kurti për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, ka thënë se thënë se muhabetet nuk kushtojnë.

“Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

RRUGËT QË S’U BËNË DHE RRUGA E RE

Po e përmbyllin vitin e tretë në qeveri, por s’kanë përmbyllur dot një rrugë të vetme në gjithë Kosovën.

As atë për Mitrovicë, as atë për Podujevë, as për Pejë, as për Gjilan e as për Gjakovë. Qytete të tëra të lëna në harresë tash e tre vjet! Qytetarë të tërë të maltretuar për çdo ditë.

Projekti i vetëm i madh kapital që ndodhë sot në vend është ai i “Rrugës A” në kryeqytet; aty ku qeveria qendrore – fatmirësisht – nuk ka asnjë rol.

Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot.

Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës.

Në programin e “Rrugës së Re” të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve. Aq kohë duhet. Aq kohë do të marrin. Aq kohë do të kenë.

Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë.