Flet mjeku i UÇK-së: Amaneti i fundit i Bekim Berishës ishte “Hallall i qoftë Kosovës gjaku im” (Video)
Bashkëluftëtari i Bekim Berishës, i njohur si Komandant Abeja, Astrit Huskaj, e vlerëson të ndjerin si një strateg të madh, luftëtar shumë të dashur dhe një trim të jashtëzakonshëm.
Për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Huskaj tregoi se kur komandanti ishte plagosur rëndë në betejë me tanket e forcave serbe.
“Faktikisht ai fillimisht ka qenë i plagosur. Ma kanë sjellë se unë kam qenë në spitalin ushtarak në Junik, e kam kryer rolin doktorit ushtarak pasi që i gjithë stafi mjekësor në spitalin ushtarak në Junik ishin larguar. Abenë e kanë sjellë të plagosur, por ishte në minutat e fundit sepse s’ka jetuar as 15-20 minuta maksimumi pas ardhjes në spital, së bashku me Eltonin dhe Përmetin, të tretë kanë ardhur të plagosur”. “I pari ka vdekur Abeja, më pas Përmeti e Eltoni, dhe i fundit ka vdekur Bediru, edhe pse ishte i pari i plagosuri aty”.
Huskaj kujton edhe fjalët e fundit që i la komandanti para ndarjes nga jeta.
“Abeja vetëm një amanet e thoshte: ‘Ju lutem mos e lëshoni frontin, Hallall i qoftë Kosovës gjaku im’, këto kanë qenë disa nga artikulimet e tij në minutat e fundit”, shprehet Huskaj.