Letra e politikanëve ndërkombëtarë për BE-në e SHBA-në, Kurti: E nënshkroi edhe Ukraina
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka falënderuar mbi 50 deputetë ndërkombëtarë, përfshi edhe Ukrainën, të cilët i dërguan letër Sekretarit të ShBA-së, Antony Blinken, duke kërkuar mbështetje për Kosovën dhe qasje më të ashpër ndaj Serbisë për sigurinë në rajon.
Gjatë adresimit të tij para kabinetit qeveritar, Kurti tha të mërkurën se i është falënderues çdo thirrjeje dhe secilit nënshkrim të radhës në mbështetje të Kosovës.
“Këtë javë, të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar e të dashur qytetarë, po ashtu pati edhe një zhvillim pozitiv për Republikën e Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar.
Përmes një letre drejtuar Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, mbi 50 deputetë, në mesin e tyre edhe senator e kongresistë amerikanë, 10 kryetarë të komisioneve parlamentare të politikave të jashtme të 16 shteteve, përfshirë edhe Ukrainën, kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kanë bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për sigurinë e rajonit tonë.
“Ne i jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrje të përbashkët dhe e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për de-eskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci, dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”, tha Kurti.