AlternAtivA: Të rriten rrogat e punëtorëve, të ulen rrogat e funksionarëve
Partia AlternAtivA mbështet kërkesat e sindikatave për rroga dinjitoze. Ngavkjo parti mbeshtesin edhe kerkesat për uljen e rrogave të funksionarëve shtetërorë, që u rritën 78 për qind.
“Rritja e rrogave të funksionarëve në kohën e gabuar dhe në rrethanat e krizës ekonomike, si dhe rritjes së inflacionit, ka efekte afatgjata ndër grupet e ndryshme shoqërore. Kur u rriten rrogat për 78% të politikanëve profesionistë, atëherë nuk duhet të na habisë fakti që sindikatat kërcënojnë të protestojnë nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre. Thjesht, punonjësit në shëndetësi, arsim dhe polici nuk kanë detyrim moral të dëgjojnë shpjegime nëse për krizën dhe për problemet ekonomike nuk kanë sens pikërisht ata që paguhen për t’i zgjidhur problemet”, thuhet në njoftimin e Alternativës.
AlternAtivA konsideron se sindikatat kanë të drejtën e plotë për ta mbrojtur dinjitetin e punonjësve që i përfaqësojnë.
“Kur Fatmir Besimi ishte sindikalist dhe punonjësve në Ministrinë e Financave ua rriste rrogat për 30 për qind që të mos largoheshin, tani le të gjejë financa në buxhet për t’i përmbushur edhe kërkesat punonjësve të shëndetësisë, arsimit dhe policisë. Edhe në këta resorë ndjehet deficit serioz i kuadrit, kjo si pasojë e daljeve në sektorin privat dhe shpërnguljes eksodike jashtë vendit.
AlternAtivA konsideron se mjekët dhe infermieret në shëndetësinë publike janë element shumë i rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve mjekësore për të siguruarit. Puna e tyre duhet të vlerësohet në mënyrë dinjitoze”, theksohet në reagim.