Rajon - Botë

Lutuni për Slloveninë, vërshime të mëdha me viktima

Një stuhi e fortë ka goditur Slloveninë, ku është lëshuar alarmi i kuq në pjesën verilindore, veriperëndimore dhe qendrore të vendit. Shumë rrugë në të gjithë shtetin slloven janë përmbytur dhe mbyllur për shkak të reshjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Në disa komuna, banorëve u është kërkuar që të largohen në vende të sigurta ose të qëndrojnë në shtëpi.

Agjencia Sllovene e Mjedisit ka lëshuar alarmin e kuq që është i vlefshëm deri në mesnatën e sotme për shkak të reshjeve, të cilat pritet të shkaktojnë përmbytje të mëtejshme. Në disa zona tashmë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Ndërkohë, komandanti i Mbrojtjes Civile të Sllovenisë, Sreçko Sestan, tha policia ka raportuar për disa të vdekur, por ende nuk ka informacion konkret për rrethanat. Sipas të dhënave të Autoritetit Slloven për Mbrojtje dhe Shpëtim, në 12 orët e fundit janë regjistruar më shumë se 1.000 aksidente dhe në ndihmë kanë mbërritur zjarrfikësit nga 168 shërbime zjarrfikëse.

Ndërkohë edhe Italia pritet të përfshihet këtë fundjavë nga moti i keq, ndërsa Mbrojtja Civile e këtij vendi ka lëshuar alarmin portokalli për dy rajone Marche dhe Lombardia. Stuhitë e forta të erës që mund të kthehen në ciklone dhe breshëri pritet që të prek 12 rajone në Itali. Në Milano, Bashkia ka urdhëruar mbylljen e parqeve, zonave të gjelbra, ndërsa është kërkuar edhe mbyllja e disa tregjeve. Në Venecia pritet që moti I keq të sjellë përmbytje dhe reshje të furishme breshëri. Vetëm përpara disa ditësh veriu i Italisë u përfshi nga stuhi të shumta shiu të cilat u shoqëruan me erë të forte dhe breshër.

Si pasojë e motit të keq u shkaktuan dhjetëra milionë euro dëme ndërsa humbën jetën të paktën 5 persona.

Për shkak të stuhisë së madhe në Slloveni, janë mbyllur shumë rrugë dhe autostrada në të gjithë vendin. Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në Slloveni që të largohen nga zonat e rrezikuara, veçanërisht ato përgjatë lumenjve.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që të largohen nga zonat e rrezikuara, veçanërisht nga zonat përreth lumenjve. Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Sllovenisë apo të kalojnë tranzit përmes saj, të kontrollojnë se cilat rrugë janë të lira”, theksohet në kumtesën e MPJ-së.

Njëherit, nga Ministria i lusin qytetarët, nëse ndodhen në rajonet e prekura dhe kanë nevojë për ndihmë, të kontaktojnë Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Lubjanë, në numrat e telefonit: +386 1 421 00 21; +386 41 544 222 ose në adresën elektronike:ljubljana@mfa.gov.mk.