Bajrami: Kur ASH luftonte për gjuhën shqipe, të tjerët strehoheshin te VMRO dhe LSDM
“Vetëm kujtoni kohën kur Aleanca për Shqiptarët paraqiste amandamente kushtetuese për gjuhën shqipe, dikush atëherë kishte gajlen e mbijetesës në politikë dhe preokupim kishin mënyrën se si të shpëtojnë nga zhbërja, ndaj edhe u futën me Zaevin në lista të përbashkëta”, thotë Bujar Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), duke komentuar mbi debatin për heqjen e referencës “20 për qind” për gjuhën shqipe, përcjell PRESSonline.al
Sipas tij, partitë politike shqiptare, përgjithësisht, duhet të jenë të pavarura dhe të pa ndikuara substancialisht nga struktura shërbimesh apo partish maqedone.
“Duke qenë marionetë e VMRO-së apo e LSDM-së, nuk i shërbejmë as vetvetes, as shtetndërtimit, e aq më pak, mbrojtjes së interesave të shqiptarëve. Ka ardhur koha që synimi i gjithsecilit, qytetarëve, votuesve, shoqërisë civile, masës intelektuale etj. të jetë zhbërja e ‘filialeve’ politike të VMRO-LSDM-së te shqiptarët. Vetëm pas kësaj, shqiptarët mund të ngriten mjaftueshëm e të jenë të zot të vetëvetes. Aleanca për Shqiptarët, ndonëse me vështirësi klasash e bindjesh, ka ruajtur autonominë e saj duke marë vendime mbi bazën e orientimit të vetë ideologjik. Njëjtë do të veprojë edhe në të ardhmen, sepse konsistenca në politik është çelësi i vetëm i etablimit të fuqishëm në skenën politike”, komenton Bajrami. (PRESSonline.al)