Serbët breshëri plumbash drejt një grupi kosovarësh në Veri
Një grup prej 50 kosovarësh nga “Kosovo Mountain Club” kanë ndërruar drejtimin e tyre të ecjes, pasi u përballën me një breshëri plumbash në zonën e Zubin Potokut.
Dy persona kanë shtënë me armë zjarri mbi kosovarët në rajonin me shumicë popullsie serbe. Mediat në Kosovë thonë se fatmirësisht nga incidenti nuk pati të plagosur.
“Grupi ka qenë duke bërë hiking në malet mbi liqenin e Ujmanit, kur dy individë kanë hapur zjarr mbi ta, duke i detyruar të kthehen mbrapsht”, thotë shtypi vendas.
Rasti është denoncuar në policinë e Zubin-Potokut. Mësohet se policia ka qenë paraprakisht e njoftuar me e-mail për lëvizjen e grupit në atë zonë.
Incidenti ka ndodhur diku rreth 30 metra larg grupit të ekskursionistëve, të cilët kanë mbetur të tronditur nga ky episod.