Maqedoni

Grubi: BDI është e gatshme të dalë nga Qeveria

Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, do të shkojmë në zgjedhje të rregullta parlamentare. Nëse votimi dështon, fatkeqësisht e ardhmja evropiane e vendit tonë të përbashkët ka dështuar, thotë zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive Artan Grubi në prag të debatit për ndryshimet kushtetuese në komisionin kuvendor amë.

Në një paraqitje të ftuar në lajmet e Kanal 5, Grubi shprehu bindjen se askush nuk do ta lejonte këtë, përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në opozitare. Ai është i bindur, siç tha, se ajo parti është evropiane.

Ai tha se të gjithë e dimë që duhet t’i qasemi ndryshimit teknik të Kushtetutës dhe e pamë, nënvizoi ai, se ndryshimet kushtetuese janë absolutisht teknike dhe askush në shoqëri, përveç opozitës, nuk reagoi për tekstin e ndryshimeve kushtetuese.

“Vetëm ka pasur një reagim dhe ka qenë politik, jo në aspektin e përmbajtjes së ndryshimeve kushtetuese, por politik, për politikën ditore”, tha ndër të tjera Grubi.

I pyetur nëse BDI-ja është e gatshme të largohet nga Qeveria nëse ky është çmimi që duhet paguar, Grubi pohoi se jo vetëm të largohen nga Qeveria, por të heqin dorë edhe nga kryeministri i parë shqiptar në Qeveri, të heqin dorë nga Qeveria e Përzhinos, sepse, theksoi ai, ne atëherë do të ishim partia më e madhe politike opozitare në Kuvend dhe do të duhej të kishim një ministër të Punëve të Brendshme, të Punës dhe Politikës Sociale etj.

“Të heqim dorë nga të gjitha këto dhe të shkojmë ose në zgjedhje të parakohshme menjëherë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese ose të shkojmë në zgjedhje të rregullta. Nëse duan të ulen në Qeveri edhe një vit, pesë, gjashtë muaj, 10 muaj, çfarë të kenë, le të ulen në Qeveri, vetëm le të votojnë për ndryshimet kushtetuese. BDI në të njëjtin moment të votimit të ndryshimeve kushtetuese, del nga Qeveria dhe ua mundëson të qeverisin pa asgjë nga ato që presim deri në fund të mandatit”, tha Grubi.

Lidhur me ngjarjen e fundjavës me automjetin e djegur që ka përdorur, ai ka deklaruar se ka qenë pasojë e motiveve të ashpra politike.

“Nuk ka asgjë kriminale. Sot e kam dëgjuar edhe liderin e opozitës që ka thënë se është marrëveshje kriminale, ndaj pres që institucionet ta thërrasin dhe të japë një deklaratë se nga kanë ardhur ato akuza se ka qenë marrëveshje kriminale. Jam i bindur se ka prapavijë politike dhe është rezultat i dhunës verbale trevjeçare ndaj meje dhe BDI-së”, tha Grubi.

Ai theksoi, hetimin do t’ia lë policisë, shpresoj që së shpejti të gjendet porositësi dhe personi që i ka vënë flakën automjetit.

Duke komentuar dyshimet për pasuri të fshehura, Grubi u bëri thirrje institucioneve që të hetojnë çdo dyshim për një gjë të tillë.

“Absolutisht, automjeti Audi nuk është i imi, as formal, as informal, në asnjë bazë, as nuk kam paguar askënd për atë automjet, kam përdorur automjete të tjera për qëllime private. Kam bërë një ndërhyrje të vogël javën e kaluar, më pas e kam përdorur dhe nuk e kam përdorur për rreth 10 ditë. Regjistrimet publike janë falsifikuar për të përhapur lajme të rreme”, tha Grubi.

Ai tha se nuk lëviz më vetëm dhe përdor sigurim, ndryshe nga dikur, pasi, siç theksoi, agresioni verbal i dhunshëm kthehet në agresion fizik.