Maqedoni

AlternAtivA: Mbështetje e parezervë nga të gjitha degët për politikat e partisë

Në vazhdën e takimeve të rregullta me strukturat e partisë, sonte, në selinë e Alternativës në Shkup, u realizua nja mbledhje informuese dhe konsultative me kryetarët e degëve të partisë, në të cilën ishin të pranishëm të gjitha degët partiake. Mbledhja ishte ftuar nga kryetari i partisë, Afrim Gashi, ndërsa në të ishin të pranishëm edhe nënkryetarët, Bekim Sali dhe Admirim Aliti, si dhe sekretari organizativ, Bashkim Murtezi.
Fillimisht, kryetari Gashi i njoftoi kryetarët e degëve të Alternativës me aktualitetin politik dhe pozicionin e Alternativës kundrejt ndryshimeve kushtetuese, dhe procesit eurointegrues dhe mundësisë për zgjedhje, ndërsa në veçanti u ndal në pjesën e bashkëpunimit tashmë të ngritur me Lëvizjen Besa dhe lëvizjen e re politike që ka dalë nga BDI-ja. Në këtë kontekst, kryetarët e degëve shprehën interes për modalitetet e këtij bashkëpunimi, ndërsa të gjithë njëzëri i dhanë mbështetje kryetarit Afrim Gashi dhe organeve drejtuese të partisë në politikat partiake që zhvillohen në ngjeshjen e koalicionit opozitar, por edhe në drejtim të avancimit të programit politik të Alternativës, të të drejtave etnike shqiptare, integrimit në BE dhe veçmas luftës kundër korrupsionit.
Në të vërtetë, bërthama kryesore e secilës organizatë politike është struktura organizative e saj me në krye kryetarët e degëve. Duke e zhvilluar këtë takim, Alternativa edhe njëherë dëshmoi se është unike, e palëkundur dhe e përkushtuar për ta vazhduar rrugëtimin e saj drejt krijimit të frontit të madh opozitar, duke synuar kështu ndryshimin e madh e të shumëpritur në kampin politik shqiptar. Fitorja në zgjedhjet e ardhme do të jetë në të mirë të të gjithë shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve tjerë në vend.
Gjithmonë ka Alternativë!