Vuçiç kërkon asociacion të komunave me shumicë serbe, por nuk kërkon falje për krimet
Dialogu Kosovë-Serbi, zgjidhjet e BE-së për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, të papërfillshme
Përgatiti: Eneida Jaçaj
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjithë historinë e tyre diplomatike, kryesisht me Presidentët Bill Clinton dhe George W.Bush, kanë patur një rol të pazëvendësueshëm dhe të patjetërsueshëm, në lidhje me sfidat për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt, 2008. Tashmë, dialogu Kosovë-Serbi ka kaluar në një stad tjetër, ku stafeta i është lënë Bashkimit Europian për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, si garant i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por duket se zgjidhjet e zyrtarëve të lartë eruopianë janë të papërfillshme, sidomos nga Serbia. Pra, vështirë se Marrëveshja e Ohrit do të zbatohet me përpikmëri nga të dyja palët, dhe kjo është mjaft e dukshme me konfliktin në Veri të Kosovës.
Konflikti në Veri të Kosovës, nisi vitin e kaluar, kur serbët braktisën institucionet e Kosovës, si formë e kundërshtimit të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat serbe, në ato të Kosovës. Konflikti është shoqëruar me një varg krizash dhe protestash nga ana e serbëve. Tensionet në veri të Kosovës arritën kulmin kur kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës. Duke u gjendur përballë kësaj situate konfliktuale, Gjermania vendosi të ndërpresë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme, ku përfshihet shtyrja e konsultimeve të planifikuara dhe e formateve të bashkëpunimit në fushat e bashkëpunimit të sigurisë dhe bashkëpunimit zhvillimor, por nuk mori asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë.
Europa është mjaft e vetëdijshme për masakrat dhe krimet çnjerëzore të Sllobodan Millosheviçit në drejtim të popullatës së pafajshme të Kosovës, dhe duhet ta shohë këtë të fundit me një sy tjetër; nëse do të bëhen shumë përjashtime apo do t’i lihet dorë e lirë Serbisë, kjo e fundit do t’u rikthehet kërkesave të saj të mëparshme, duke bërë 23 vite mbrapa në kohë. Thelbi i konfliktit është se Serbia kërkon asociacion të komunave me shumicë serbe, duke krijuar një Republikë të vogël Serbe, në Veri të Kosovës, ku janë 10 komuna si: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Aleksander Vuçiç kërcënon se Serbia do të veprojë vetë për bashkimin e komunave, përpara “hundës” së BE-së, ndërkohë nuk dënjon të njohë Pavarësinë e Kosovës dhe as nuk kërkon falje për masakrat dhe mbajtjen peng të lirisë së popullit të pafajshëm kosovar. Serbia nuk mund të bëjë asnjë lëvizje të tillë pa dekret të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe pa njohjen reciproke. Gjithashtu, Kosova e sheh me skepticizëm këtë kërkesë, pasi do të kemi një situate të ngjashme me Republikën Serbe të Bosnjes.
Masakrat në Kosovë
Diskutimet për bashkimin e komunave në Veri të Kosovës, duhet t’i lënë hapësirë diskutimeve për masakrat dhe torturat ndaj popullit shqiptar kosovar, nga dora gjakatare serbe. Akademia e Shkencave të Kosovës duhet të bëjë më shumë për këtë çështje, duke lobuar më fortë në sallonet europiane, që Serbia të kërkojë falje dhe të njohë Kosovën. Populli shqiptar duhet të mbajë qendrim dhe duhet të veprojë që zëri i tij të dëgjohet deri te kancelaritë e huaja, në mënyrë që të dënohen të gjithë përgjegjësit e genocidit serbo-malazez, ashtu siç Gjermania dënoi krimet e nazizmit ndaj hebrenjve. Gjatë Luftërave Ballkanike, ushtria serbo-malazeze ka zhvilluar krime nga më të rëndat dhe kanë ndërmarrë politika shoviniste për copëtimin e trojeve dhe robërimin e shqiptarëve. Atë që nuk po e bëjnë institucionet, po përpiqen ta bëjnë disa intelektualë, si publicisti, studiuesi, njëherësh shkrimtari z.Rrustem Berisha, i cili është autor i librit “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999″, me tri vëllime, me të cilin kam bashkëbiseduar para disa muajve, në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Dielli”. Rrustem Berisha ka hulumtuar mbi 15 vite për gjenocidin shekullor që është ushtruar mbi popullin shqiptar. Ky libër ka karakter studimor, historik dhe politik, ku qëllimi kryesor i tij është që të rrisë ndërgjegjësimin dhe trysninë e përgjegjësisë së institucioneve shqiptare, për të vepruar në kancelaritë më të larta ndërkombëtare, që të dënohen kriminelët dhe t’u mësohet brezave të rinj historia e nëpërkëmbjes së popullit shqiptar.
Berisha ka studiuar qindra dokumente, ku ka zbuluar se janë mbi 30 000 persona me emra të vrarë që nga viti 1800 deri me 1999, që nga Podgorica, Tivari, Plava, Gucia, Ulqini, Shkodra, Tetova, Dibra, Kumanova, Peja, Gjakova, Prizreni etj. Rruste Berisha vë në dukje se nuk ka serb, malazez, grek as maqedonë, pasi janë shpikje nga disa vende të Evropës për të shfarosur kombin shqiptar. Rrustem Berisha është autor i librave: “Pse vdekja”, “Holokausti shqiptar”, “Trojet tona”, “Triumfi i drejtësisë në tribunalin e Hagës”, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” 1,2,3. Pra, dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të ketë kuptim pa kërkuar falje për krimet, dhe, gjithashtu, në përpjekjet për të vendosur stabilitet mes dy vendeve, duhet të ketë ndershmëri dhe drejtësi, nga faktori europian.