Kosovë

Vetëvendosja: Albin Kurti i patrembur përballë krimit të 20 vjetëve (Video)

Lëvizja Vetëvendosjes (LVV) ka reaguar pas rrahjes që ndodhu në Kuvend në mes të pushtetit dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Partia në pushtet në faqen e saj në Facebook ka shpërndarë një video të kryeministrit Albin Kurti i cili qëndron i rrethuar nga pjesëtarët e tij të sigurimit, brenda deputetëve e ministrave të përfshirë në përleshje.

“I patrembur para krimit të 20 vjetëve!”, thuhet në përshkimin e kësaj videoje.

Përmes një shkrimi në Facebook, LVV-ja ka shkruar se “krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë”.

Sipas kësaj partie, sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht.

“Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushte, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës. Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas VV-së, “ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e shtetin tonë për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen”.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka thënë se përleshja ndodhi pasi nuk po duan ta lënë Kosovën t’i fitojë betejat që duhet t’i fitojë.

“PDK sulmoi në Kuvend. Paterica PSD sulmoi jashtë Kuvendit. Baton Haxhiu e Berat Buzhala sulmojnë nëpër studio televizive e portale. Zgjodhën momentin tash, sepse nuk duan ta lënë Kosovën t’i fitojë betejat që duket se do t’i fitojë. E gjitha kjo vjen si rezultat i luftës së suksesshme ndaj krimit jo vetëm në veri por edhe në Prishtinë e kudo. Kumbarët e krimit, pavarësisht etnive, kanë mbështetur dhe mbështesin njëri-tjetrin. Ky është koncerti i krimit të organizuar i ditëve të sotme që në fakt është krimi i organizuar i gjithë viteve të pasluftës që askush nuk ua prishi tymin e duhanit. Është i qartë frustrimi i tyre. Është i qartë shpërthimi i tyre”, ka shkruar ai.