Rajon - Botë

Srebrenicë, falet namazi i xhenazes për 30 viktima të Gjenocidit

Mijëra njerëz kanë mbërritur në Potoçari në orët e mëngjesit, ku bënë homazhe për viktimat e gjenocidit të kryer në vitin 1995

Potoçari, falet namazi i xhenazes për 30 viktima të Gjenocidit të Srebrenicës Foto: Samır Jordamovıc / AA

Sarajevë

Në varrezën e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës – Potoçari, u mbajt falja e namazit të xhenazes për 30 viktimat e gjenocidit të kryer në verën e vitit 1995 në zonën e Srebrenicës nga forcat serbe, raporton Anadolu.

Mijëra njerëz mbërritën në Potoçari në mëngjes, ku bënë homazhe për viktimat e gjenocidit të kryer ndaj burrave dhe djemve bosnjakë muslimanë në vitin 1995.

Namazit të xhenazes në Potoçari i priu kreu i Bashkësisë Islame të Bosnjë dhe Hercegovinës, Husein ef. Kavazoviq.

Pas faljes së xhenazes, familjet, miqtë dhe fqinjët i bartën arkivolet me eshtrat në vendin e varrimit.

Në mesin e viktimave që u varrosën këtë vit ishin edhe katër të mitur. Viktima më e re është Elvir Salçinoviq, i cili ishte 15 vjeç kur u vra. Ai u vra në zonën e Baljkovicës, kurse eshtrat e tij u zhvarrosën nga varreza masive e Lipjes afër Zvornikut në vitin 2001.

Ndonëse ai u identifikua në vitin 2011, familja e tij nuk gjeti forcë për të varrosur Elvirin deri në këtë vit. Ai gjeti prehjen e fundit pranë babait të tij Turabija dhe vëllait Almirit, të cilët u varrosën në Potoçari në vitin 2003, përkatësisht 2011.

Po ashtu u varrosën edhe dy 16-vjeçarët, Mustafa Mekaniq dhe Esed Klempiq. Eshtrat e tyre janë zhvarrosur gjatë vitit 2001 në lokacione të ndryshme, në zonën e Gllogovës dhe Kamenicës, ku edhe këta u identifikuan në vitet e mëparshme 2008, përkatësisht 2013, por vetëm tani morën pëlqimin për varrimin e tyre. Një tjetër i mitur më në fund ka gjetur prehjen dhe ai është Semir Gjoziq. Ai ishte 17 vjeç kur u vra dhe eshtrat e tij u zhvarrosën në vitin 2002.

Nezir Muminoviq është viktima më e vjetër e gjenocidit në Srebrenicë, i cili u varros këtë vit. Ai ishte 65 vjeç në kohën kur u vra dhe eshtrat e tij u zhvarrosën në zonën e Kamenicës në vitin 2007.

Këtë vit u varrosën babë e bir – Vejsil dhe Hasib Mujanoviq.