Shefi i NATO-s thotë se mbështet aspiratën e Turqisë për t’u bërë anëtare e BE-së
Sekratari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se mbështet aspiratën e Türkiyes për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
“Unë mbështes ambicien e Türkiyes për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi të mbajtur me presidentin lituan Gitanas Nauseda në kryeqytetin Vilnius, ku aleanca do të mbajë samitin e radhës këtë javë.
Deklarata e tij vjen pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha më herët se do të kërkojë në samitin e NATO-s që të hapet rruga për anëtarësimin e Ankarasë në BE.
“Së pari, hapjani rrugën Türkiyes për në BE dhe më pas do t’i hapim rrugën Suedisë ashtu siç bëmë për Finlandën”, tha Erdoğan në një konferencë shtypi në Istanbul përpara se të nisej për në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s.
Stoltenberg tha gjithashtu se është ende e mundur të arrihet një marrëveshje për anëtarësimin e Suedisë në NATO gjatë samitit.
Gjatë samitit dy-ditor të NATO-s në Vilnius, udhëheqësit do të trajtojnë luftën Rusi-Ukrainë, sfidat e saj ndaj NATO-s dhe hapat për të forcuar mbrojtjen dhe parandalimin e aleancës ushtarake. Kërkesa e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO do të jetë gjithashtu në agjendë.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës në shkurt 2022.
Edhe pse Türkiye ka miratuar anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia të përmbushë angazhimet e saj sipas marrëveshjes.
Më parë, Erdoğan ka nënvizuar se Suedia nuk mund të shpresojë të anëtarësohet në NATO për sa kohë që u jep strehë dhe dritë jeshile terroristëve dhe mbështetësve të terroristëve.
Për t’u bashkuar me NATO-n, Suedia ka nevojë për miratimin e të gjithë anëtarëve të saj aktualë, duke përfshirë Türkiyen, e cila ka qenë në aleancë për më shumë se 70 vjet dhe ka ushtrinë e dytë më të madhe brenda saj.