Rajon - Botë

Koreja e Veriut kërcënon me rrëzimin e avionëve amerikanë

Koreja e Veriut akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë shkelur hapësirën e saj ajrore duke kryer fluturime vëzhguese. Phenjani tha se po tregonte vetëpërmbajtje pasi avionët amerikanë mund të rrëzohen.

Veprimet provokuese ushtarake nga SHBA-ja po e sjellin gadishullin korean më pranë konfliktit bërthamor, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Koresë së Veriut, përmes një deklarate të publikuar nga agjencia e lajmeve KCNA.

Kjo media po ashtu raportoi se në deklaratë u tha po ashtu se përdorimi i avionëve dhe dronëve vëzhgues nga Uashingtoni po përshkallëzon tensionet, duke akuzuar Uashingtonin se po dërgon nëndetëse bërthamore pranë gadishullit, shkruan REL.

“Nuk ka garanci që një aksident i tillë tronditës, sikurse rrëzimi i një avioni të forcave ajtore amerikane, nuk do të ndodhë” në ujërat në lindje të Koresë, tha zëdhënësi.

Në deklaratë u përmendën edhe incidente në të kaluarën kur Veriu kishte rrëzuar ose penguar avionë amerikanë në kufi.

Koreja e Veriut shpesh ankohet që SHBA-ja kryen fluturime vëzhguese pranë gadishullit.

Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga ushtria amerikane që janë të vendosur në Korenë e Jugut.