Maqedoni

Në rajon, vetëm Kosova me trend të fuqishëm lindjesh, Serbia dhe Maqedonia në minus

Rajoni i Ballkanit në përgjithësi po përballet me plakjen e popullsisë dhe shtim negativ natyror në dekadat e fundit. Thuajse në të gjitha vendet e Ballkanit vdekjet janë më të shpeshta sesa lindjet, që çon në uljen e numrit të popullsisë dhe rritjen e moshës mesatare të saj.

Ngjashëm edhe në vitin 2022, shumica e shteteve kishin trend negativ të lindjeve në raport me vdekjet. Dukshëm kundër këtij trendi po ec vetëm Kosova.

Kosovë: Trefish më shumë lindje sesa vdekje

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 kishte 31.420 lindje brenda vitit 2022. Në anën tjetër, gjatë këtij viti kanë ndërruar jetë 11.378 persona.

Statistikisht, për çdo shtetas të Kosovës që ndërroi jetë gjatë 2022-shit, lindën tri foshnja të reja. Ky është trendi më pozitiv në rajon dhe më gjerë. Me këtë trend nataliteti, Kosova ka edhe popullsinë më të re në rajon. Mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është rreth 30,5 vjeç, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Shqipëri: Bilanc pozitiv vitin e kaluar – por minimalisht

Gjatë vitit 2022 edhe Shqipëria shënoi bilanc pozitiv të lindjeve në raport me vdekjet. Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, INSTAT, gjatë vitit të kaluar në Shqipëri lindën 23.575 foshnja, ndërsa ndërruan jetë 22.900 shtetas.

Nga katër tremujorët, Shqipëria kishte trend pozitiv në 3 prej tyre.

Mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri, sipas Bankës Botërore, është rreth 36,5 vjeç.

Maqedoni e Veriut: Vazhdon rënia e lindjeve

Gjatë vitit 2022 Maqedonia e Veriut ka regjistruar bilanc negativ mes lindjeve dhe vdekjeve në vend. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, vitin e kaluar lindën 18.183 fëmijë, ndërsa ndërruan jetë 22.459 shtetas.

Nataliteti në Maqedoninë e Veriut vazhdon në rënie të pjerrët që nga vitet e 90-ta, me disa fluktuime gjatë viteve.

Mosha mesatare e popullsisë në këtë shtet është mbi 40 vjeç, sipas Bankës Botërore.

Serbi: Të dhëna shqetësuese demografike

Serbia ka pasur trend edhe më negativ gjatë vitit 2022. Statistikat zyrtare të shtetit serb kanë regjistruar 62.700 lindje gjatë vitit të kaluar, ndërsa kanë ndërruar jetë 109.203 persona.

Mosha mesatare në Serbi është rreth 41,6 vjeç sipas Bankës Botërore. Në këtë parametër, Serbia është më mirë sesa Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia, por shumë “më e plakur” krahasuar me Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut./trtbalkan