Dhentë kullosin para institucioneve shtetërore dhe komunale
Dukuria në fjalë është debatuar edhe në seancë të Këshillit të Komunës Dibër ku mes tjerash – është theksuar se ka patur raste kur inspektori komunal dhe policia kanë ngritur aktpadi, por nga institucioni gjyqësor nuk ka patur vendime për gjoba
Vjollca SADIKU
Dibër, 9 korrik – Përveç dy parqeve që gjenden në sheshin Skënderbeu në Dibër, ka edhe hapësira të gjelbërta para disa institucioneve. Por, shpeshherë ndodh që pronarët të dhenve ti kullosin delet e tyre në hapësirat e gjelbërta para institucioneve publike. Është një dukuri shqetësuese jo vetëm për ndotjen e ambientit jetësor, por edhe për pamjet që krijohen. Dukuria në fjalë është debatuar edhe në seancë të Këshillit të Komunës Dibër ku mes tjerash – është theksuar se ka patur raste kur inspektori komunal dhe policia kanë ngritur aktpadi, por nga institucioni gjyqësor nuk ka patur vendime për gjoba.
Mbrojtja e higjienës publike ka një vend të veçantë kur bëhet fjalë për pastërtinë të një qyteti. Në Dibër ndërmarrja komunale publike “Standardi” është ajo që mirëmban higjienën publike dhe njëkohësisht menaxhon edhe me ujësjellësin Rosok-Dibër. Duke marrë parasysh problemet financiare që ka kjo ndërmarrje, shpeshherë ka probleme me mirëmbajtjen e higjienës publike. Ndoshta një zgjidhje do të ishte që njësia e kësaj ndërmarrje komunale të ndahet nga njësia për furnizim me ujë. Por, për këtë duhet të merr vendime pushteti vendor, i cili është themelues i ndërmarrjes komunale.
Këtë mes tjerësh e ka deklaruar inspektori komunal pranë Komunës Dibër, Altin Fetahu, i cili mori pjesë në seancën e fundit të Këshillit të Komunës Dibër me kërkesë të këshilltarëve. Kur është në pyetje higjiena publike, pikërisht për shkak të problemeve që ka ndërmarrja komunale – deponitë e egra pastrohen shumë herë edhe nga ana e njësisë të punëtorëve pranë Komunës Dibër. Dukuria në fjalë që është prezent me paraqitjen të deponive të egra dhe hedhja e mbeturinave vend e pa vend, kërkon një angazhim maskimal të të gjithë faktorëve. Nevojitet rritja e vetëdijes të qytetarëve, por edhe nevoja për të gjobitur personat, të cilët ndotin ambientin jetësor.
Anëtarët e Këshillit të Komunës Dibër nga inspektori komunal kanë kërkuar të ndërmerr masa ndëshkuese për të gjithë ata që ndotin mjedisin jetësor dhe drejtpërdrejt ndikojnë në mungesën e pastërtisë së qytetit. Duke dhënë sqarime rreth aktivitete të tij, inspektori Altin Fetahu theksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. Njëkohësisht, ai ka potencuar faktin se përveç ndotjeve të mjedisit jetësor, në qytet ka probleme edhe me deponitë e egra në rrugën që lidh qytetin me bregun e Liqenit. Po ashtu dha sqarime edhe në lidhje me kullosjen e dhenve para institucioneve publike. Kjo situatë shpeshherë ndodh para Qendrës për Kulturë në Dibër, ku mund të shihen kopetë e mëdha të dhenve që kullosin në oborrin për plot me gjelbërim, por që askush nga ky institucion nuk ndërmerr aktivitete.
Inspektori komunal në lidhje me këtë problem ka theksuar se janë ndërmarrë aktivitete ndëshkuese. “Unë si inspektor komunal dhe Policia e Dibrës kemi ngritur aktpadi dhe të njëjtat janë dërguar në gjykatë. Por, nuk kemi informata se ka vendime për ndëshkime”, tha Fetahu dhe shtoi se në të gjitha rastet kur ka mos respektim të ligjit, atëherë merren masat e nevojshme nga Inspektorati, por që gjykata e bëjnë punën e tyre. (koha.mk)