Zyrtarë europianë për “Evropën e Lirë”: Fundi i “Open Balkan” do të ndihmonte BE-në!
Shumë qarqe në Bashkimin Europian do ta mirëprisnin shkrirjen e ideve të nismës së Ballkanit të Hapur të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama.
Deri më tani, Rama është shprehur vetëm në media se Ballkani i Hapur “e ka përmbyllur misionin e tij” dhe se idetë e kësaj iniciative do të vazhdojnë në Procesin e Berlinit. Në BE nuk ka pasur reagime zyrtare rreth këtij paralajmërimi, por, jozyrtarisht, disa diplomatë europianë thonë për Radion Europa e Lirë se “kjo do të mirëpritej” dhe se “do të ishte një lehtësim i madh për forcimin e Procesit të Berlinit dhe të proceseve tjera”.
Nisma Ballkani i Hapur, e cila fillimisht është quajtur Mini Schengen, u ndërmor në 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe u nënshkrua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Open Balkan u kundërshtua nga opozita në Shqipëri dhe është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Në kuadër të saj janë arritur disa marrëveshje, si për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë. Lidhur me paralajmërimin e Ramës për fundin e kësaj iniciative, Vuçiç është shprehur se “nuk mund ta besojë se Rama e ka thënë një gjë të tillë”. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur ndonjë reagim. Bashkimi Europian vetë ka qenë vazhdimisht i paqartë rreth kësaj nisme. Zyrtarisht, ai nuk është shprehur kundër, sepse, në parim, mbështet çdo nismë që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal.