Rama bëhet pishman, nuk ka hequr dorë nga “Ballkani i Hapur”!?
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të zhvillojë një tur në vendet e Ballkanit Perëndimor në datat 6 dhe 7 Korrik. Të enjten Rama do të qëndrojë në Shkup, ndërsa do të vazhdojë vizitat e tij edhe në Prishtinë, Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë. Turi i kryeministrit të Shqipërisë do të bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të ardhmes së “Ballkanit të Hapur”. Kjo iniciativë e Ramës vjen vetëm disa ditë pasi deklaroi se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin e tij dhe duhet të vazhdohet Procesi i Berlinit. Për këtë deklaratë të kreut të shtetit shqiptar deri më tani ka reaguar presidenti serb Aleksandër Vuçiq i cili u shpreh se “Nuk beson se Rama e ka thënë këtë pasi sipas tij, Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani. Por ende nuk ka një qëndrim zyrtar edhe në autoritetet në vend. Kërkuam qëndrim nga Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani, por nga ai dhe kabineti i tij nuk morëm përgjigje për këtë temë. Ndërsa kujtojmë se ai edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti mbronin me bindje konceptin e Ballkanit të Hapur, madje i bënin thirrje të vazhdueshme edhe Kosovës që të jetë pjesë e kësaj iniciative, duke theksuar se “nuk mbahet hasmëri gjithë jetën”.
“Ne na duhet një pajtim mes kombit shqiptar dhe kombit serb, ose të vendosim a do hakmerremi dhe çka na vendos hakmarrja. Këtu kemi dy rrugë, të tretë nuk ka. kush është më i forti apo do e përsërisim edhe njëherë historinë dhe kush është më i forti”, tha Ali Ahmeti, BDI.
Kundër Ballkanit të Hapur në Maqedoni vazhdimisht është shprehur opozita shqiptare. Edhe sot kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami deklaroi se është mirë që kryeministri Edi Rama e kuptoi se Ballkani i Hapur e ka përmbyllur misionin.
“Edhe pse sinqerisht nuk e dimë se cili ka qenë misioni i Ballkanit të Hapur duke qenë në të njëjtën kohë edhe Procesi i Berlinit. Jemi të lumtur që edhe Shqipëria ti bashkohet Procesit të Berlinit dhe vendet e Ballkanit Perendimor, sa më shpejtë, duke shfrytëzuat edhe këtë iniciativë të BE-së, të jenë anëtare fuqiplote me të gjitha vendet tjera të BE-së”, u shpreh Bilall Kasami, Lëvizja BESA.
Iniciativa e Ballkanit të hapur u nënshkrua në tetor të vitit 2019 nga presidenti Serb, Aleksandar Viçiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut. Zoran Zaev. Kësaj iniciative refuzuan ti bashkohen, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Qëllim i Ballkanit të Hapur ishte rritja e bashkëpunimit tregtar dhe bashkëpunime në shumë sfera të tjera. Në përpjekje për të zbatuar qëllimin e iniciativës krerët e tre shteteve u nënshkruan dhjetëra memorandume dhe marrëveshje bashkëpunimi në sferën e tregtisë, qarkullimit të mallrave, arsim dhe në sfera të tjera. Por deri më sot asnjëra nga këto marrëveshje nuk arrit të zbatohet në praktikë dhe të jap rezultate të dukshme. /Alsat.mk