Maqedoni

PDK-ja nderpreu komunikimin zyrtar me Kurtin e Osmanin, do zgjedhje të parakohshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së këshillit drejtues të kësaj partie, ka njoftuar një sërë veprimesh që do t’i ndërmarrin ndaj Qeverisë së Kosovës.

Krasniqi tha se kërkojnë të shpallen datat për zgjedhje të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit.

Kreu i PDK-së tha se nga sot partia e vet nuk do të votojë në asnjë forum për asnjë ligj, vendim, rezolutë apo marrëveshje.

“Në një kohë sa më të shpejtë të shpallet data për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së kuvendit. Nga sot s’do të votojmë në asnjë forum, as ligje, as vendime, as rezoluta, as marrëveshje, sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne s’mund ta simulojmë normalitetin”, ka thënë Krasniqi në konferencën e sotme për media, njofton Klankosova.tv

Ai po ashtu tha se nga sot do të shkëpusin çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani, përveç në situata emergjente dhe atëherë kur do të diskutojnë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Nga sot shkëpusim dhe pezullojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani përveç në situata emergjente dhe për të diskutuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kjo qeveri i ka sjellë sanksione Kosovës nga ShBA-ja dhe BE-ja, si dhe e ka zbehur raportin me Shqipërinë.

“Kosova është shtet i izoluar e i sanksionuar dhe për turpin e tyre na ka futur Kosovën në rang me Bjellorusinë, Rusinë, Moldavinë e Republikën Srbska”, ka thënë ai.

Krasniqi tha se Kosovës i duhet një lëvizje e përgjithshme për të ndalur rrënimin që po i bën Kurti Kosovës.

“Sot është qëllim fisnik të ndalim sa më herët pushtetin autoritar të Kurtit”, ka shtuar ai.

Ai foli edhe për mocionin e mosbesimit të përmendur nga Haradinaj. Krasniqi tha se një mocion i tillë nuk kryen punë dhe vetëm i jep afat Kurtit të qëndrojë më gjatë në krye të vendit.

“Mocioni i mosbesimit, ku është se nuk po e shoh? Nuk mjafton të ndërrohet tema. Mocioni është ndërrim i temës, nuk mjafton të shkohet në kuvend me 40 nënshkrime, se duhet të shkohet në seancë, kjo dështon dhe i sigurohen Kurtit edhe tre muaj, tri ditë janë shumë”, ka shtuar ai.