BDI: VMRO-DPMNE me vetëdije shkakton jotolerancë ndëretnike në Butel
Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj politikave shoviniste dhe avantureske të VMRO-DPMNE-së e cila, në mungesë të ofertës për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, e frikësuar nga ndjekjet penale për krimet në vazhdimësi të funksionarëve të saj, dhe e etur çmendërisht për pushtet, është duke sfiduar në vazhdimësi bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë ndëretnike në vend.
Vendimi i fundit i Komunës Butel për të kontestuar vetëm emrat shqip të rrugëve të kësaj komune multietnike në Shkup është provokim i radhës i cili meriton dënim të ashpër nga të gjithë.
Bashkëjetesa ndëretnike, demokracia funksionale multietnike, janë vlerat themelore të shtetit tonë të përbashkët dhe vetëm shkurtpamës politikë dhe kundërshtarë të së ardhmes evropiane, mund të llogarisin se duke sfiduar këto vlera për qëllime elektorale apo nacionaliste, mund të kalojnë dhe të japin ndonjë rezultat për ta.
Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të jetë gardian dhe promotor kryesor i bashkëjetesës, tolerancës si dhe mundësisë për shprehjen e lirshme të vlerave identitare dhe kulturore të të gjitha komuniteteve në vend. Sfiduesit e këtyre vlerave do ngelin si pjesê e dështuar dhe e errët e historisë së këtij shteti.
Qendra për Informim e BDI-së
Shkup, 30.06.2023