Një raport i WSJ zbulon se çfarë donte të arrinte shefi i Wagner me kryengritjen në Rusi
Udhëheqësi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, planifikoi të “kapte” dy zyrtarë të lartë ushtarakë të Rusisë kur ai filloi një kryengritje jetëshkurtër të shtunën, raportoi Wall Street Journal të mërkurën, duke cituar zyrtarë perëndimorë.
Komploti i Prigozhin përfshinte kapjen e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe gjeneralit të lartë të ushtrisë Valery Gerasimov kur dyshja vizituan një rajon përgjatë kufirit me Ukrainën, shkruante WSJ, përcjell Telegrafi.
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) mësoi për komplotin dy ditë përpara se të ndodhte, duke e detyruar Prigozhin të ndryshonte planet e tij në minutën e fundit dhe të niste një marshim drejt Moskës, sipas raportit.
Mercenarët e Wagner morën kontrollin e një baze ushtarake kryesore në qytetin e Rostov-on-Don dhe trupat e tij po i afroheshin kryeqytetit rus kur Prigozhin anuloi kryengritjen e tij.
Kur u pyetën për raportin e WSJ, dy burime evropiane të sigurisë i thanë CNN se ndërsa prigozhin kishte të ngjarë të kishte shprehur dëshirën për të “kapur” udhëheqësit ushtarakë rusë, nuk kishte asnjë vlerësim nëse ai kishte një plan të besueshëm për ta bërë këtë.
Ndryshe, ka pasur spekulime në lidhje me rolin e komandantëve të lartë rusë teksa kryengritja filloi të premten mbrëma.
New York Times, duke cituar zyrtarë amerikanë për të cilët tha se ishin të informuar mbi inteligjencën amerikane, raportoi se komandanti i forcave ajrore ruse, gjenerali Sergey Surovikin, “kishte njohuri paraprake për planet e Yevgeny Prigozhin për t’u rebeluar kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë”.
Dhe Surovikin i bëri thirrje Prigozhin që të ndalonte rebelimin menjëherë pasi filloi, në një video-mesazh që e bëri të qartë se ai mbante anën e Putinit.
I pyetur për shkrimin e New York Times, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha: “Tani do të ketë shumë spekulime dhe thashetheme rreth këtyre ngjarjeve. Unë besoj se ky është vetëm një shembull tjetër”.
Një zyrtar i inteligjencës evropiane i tha CNN se kishte indikacione se zyrtarët e lartë të sigurisë ruse kishin njëfarë njohurie për planet e Prigozhin dhe mund të mos kishin transmetuar informacione rreth tyre, duke preferuar në vend të kësaj të shihnin se si funksionuan ato.
“Ata mund të kenë ditur, dhe mund të mos kenë thënë për të, [ose] të kenë ditur për të dhe të vendosin ta ndihmojnë atë të ketë sukses. Ka disa sugjerime. Mund të ketë pasur njohuri paraprake”, citohet të ketë thënë zyrtari.
Edhe pse rebelimi dështoi, prestigji i Putinit është dëmtuar, vlerësoi zyrtari. “Nëse këtë donin fraksionet, atëherë kjo është ajo që ata morën”.
E Viktor Zolotov, drejtori i Gardës Kombëtare të Rusisë, pohoi të hënën se zyrtarët e lartë rusë dinin për planet e Prigozhin për një rebelim, sepse njerëzit e afërt me shefin e Wagner-it i kishin zbuluar ato, njoftoi agjencia shtetërore ruse e medias TASS.
Zolotov gjithashtu pretendoi se rebelimi ishte “i frymëzuar nga shërbimet e inteligjencës perëndimore” sepse “ata e dinin javë më parë”.
Në fillim të kësaj jave, CNN raportoi se zyrtarët e inteligjencës amerikane mblodhën një pamje të detajuar dhe të saktë të planeve të Prigozhin që çuan në rebelimin e tij jetëshkurtër, duke përfshirë se ku dhe si Wagner planifikonte të përparonte.
Por, sipas burimeve të njohura me këtë çështje, inteligjenca “u mbajt aq e kufizuar” saqë u nda vetëm me aleatë të zgjedhur, duke përfshirë zyrtarë të lartë britanikë, dhe jo në nivelin më të gjerë të NATO-s.
Përplasja spektakolare e Prigozhin me komandën e lartë të Moskës duket se ka ardhur nga një deklaratë e Ministrisë Ruse të Mbrojtjes se ajo do të punësonte drejtpërdrejt kontraktorët e Wagner.
Ky veprim në thelb do të kishte shpërbërë operacionet fitimprurëse të Prigozhin në Rusi.
Prigozhin mbërriti në Bjellorusi të martën, tha presidenti i vendit Alexander Lukashenko. Rusia thotë se Lukashenko ndërmjetësoi marrëveshjen që i dha fund rebelimit.