Kosovë

Armatimi i kapur në Veri planifikohej për sulme terroriste edhe ndaj trupave të KFOR-it

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media ka dhënë detaje për aksionin e djeshëm në veri të vendit ku kanë kapur një sasi të konsiderueshme të armatimit.

Hoxha thotë se ky armatim kishte për qëllim që të përdorej për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe kundër forcave të sigurisë që janë në veri, përfshirë edhe KFOR-in,

“Pas një pune intensive në bashkëpunim me shërbimin e inteligjencës, kanë siguruara informacione se strukturat ilegale dhe grupet kriminale në veri të vendit kanë grumbulluar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan, me qëllim që të përdorin për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe kundër forcave të sigurisë që veprojnë në veri të vendit, përfshirë edhe KFOR-in”, ka treguar Hoxha.

Ai gjithashtu ka treguar në detaje për të gjithë armatimin që është kapur në veturën Audi që kishte qenë e parkuar në Zveçan.

Hoxha ka thënë se përveç armatimit, aty janë gjetur edhe 19 emblema të “Severna Brigada”

“Është zbuluar sasi e mjeteve shpërthyese dhe armeve ushtarake. Vetura ka qenë e parkuar në mes objekteve të banimit në Zvecan. Janë marrë masat e sigurisë, meqë sasia e armatimit paraqiste rrezik për banorët.

Vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion, duke qenë rrezik për banorët që e kanë frekuentuar atë zonë.

Në vend të ngjarjes kanë marrë pjesë edhe KFOR dhe EULEX që e kanë bërë vendshiqimin.

Vetura Audi është sekuestruar dhe gjësendet e gjetura janë :

9 zolla, 2 lansues, 2 osa, një predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, dy mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues , 51 karikator të armeve të gjata, 5 karikator të armeve të shkurta, 18 koktej molotovi, 5756 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë antiplumb, 9 uniforma ushtarake, 1 palë dylbi, maska për kok, dyshek ushtarak për nevojat e snajperistëve, 19 emblema të “Severna Brigadës”, 1 telefon ajror me sim kartele dhe numër dhe një sasi e narkotikëve.

Pjesa dërmuese e armatimit është prodhim serb”, ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se disa prej armëve dhe eksplozivëve të gjetur janë prodhuar në vitin 2021 dhe thotë se pas ekzaminimeve të para, ekziston dyshimi i bazuar se lloji i granatave të gjetura në veturë janë përdorur në sulmin kundër KFOR-it më 29 maj.

“Disa janë të prodhuara në vitin 2021, ekziston dyshimi I bazuar se lloji I njëjtë I granatave është përdorur në sulmin ndaj Kforit më 29 maj në protestën e dhunshme në Zveçan”, ka thënë Hoxha.