Bytyqi: Vendimi për tarifën e lirë ditore duhet të merret nga rregullatori, qeveria është këtu për të plotësuar parakushtet
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, nuk specifikon se kur do të kthehet tarifa e lirë ditore e energjisë elektrike për amvisëritë. Siç tha ai sot, vendimin për këtë duhet ta marrë rregullatori dhe Qeveria është këtu për të përmbushur të gjitha parakushtet e nevojshme.
Sipas Bytyqit, situata në sektorin energjetik po monitorohet me kujdes dhe po bëhen analiza, pasi siç tha ai, periudha në vijim është e pasigurt, ndërsa po vjen edhe dimri i ri.
“Ishim me fat që me të gjitha kapacitetet mundësuam ta kalonim mirë dimrin e kaluar, pavarësisht shpenzimeve të mëdha buxhetore për mbështetjen e sistemit energjetik dhe subvencionimin e energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. Meqenëse pasiguria është përpara, ne po e ndjekim me vëmendje, ndërsa vendimi është sigurisht i Komisionit Rregullator, nuk është as i imi e as i ndonjë ministri. Ne do të përmbushim të gjitha parakushtet e nevojshme për të kthyer atë që mendojmë se duhet të kenë qytetarët. Në fund të fundit, rregullatori është ai që thotë për çmimin përfundimtar dhe unë paralajmërova se nuk pres rritje çmimi dhe pres që ajo që kemi paralajmëruar për tarifën e lirë, në momentin e parë kur rregullatori thotë se nuk do të shkaktojë dëme, dhe natyrisht do të përfitojnë qytetarët, do ta bëjmë këtë, tha Bytyqi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas hapjes së fabrikës së re të kompanisë amerikane “Telamon” në Inxhikovë.
Në pyetjen nëse çmimi i energjisë elektrike ka kaluar në Qeveri, duke qenë se tenderi për EVN Houm është deri të premten, zëvendëskryeministri tha edhe një herë se çmimi përcaktohet në seancë të mbyllur.
“Sapo të vijë versioni final, atëherë do të kumtohet”, tha Bytyqi.