Lajmet e reja

Një 49-vjeçar gjerman dhe një shqiptare 20-vjeçare janë të dyshuarit për trafik droge në Deve Bair

Një shtetas gjerman i moshës 49-vjeç dhe një shtetase e Republikës së Shqipërisë 20-vjeçare dyshohen se kanë kryer veprën penale si bashkëkryerës – Prodhim dhe tregtim i paautorizuar i lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal.
Prokuroria Themelore Publike Kumanovë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore, pasi me datë 18 qershor në vendkalimin kufitar “Deve Bair” në dalje nga shteti, dy të dyshuarit kanë transportuar ilegalisht lëndë narkotike për shitje – marihuanë me peshë totale neto prej 56 kilogramë e 791 gram. Ata e kanë blerë drogën nga një person i paidentifikuar nga Republika e Shqipërisë, e kanë ripaketuar në 67 pako polietileni dhe e kanë fshehur në “bunkerë” të posaçëm në një makinë “Seat Altea” me targa gjermane.
Gjatë kontrollit doganor të automjetit në vendkalimin kufitar, marihuana është gjetur në hapësirat nën sediljen e shoferit, sipër silenciatorit, nën sediljen e pasme, në anën e majtë pranë rezervuarit dhe në pjesën e bagazhit.

Gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Kumanovë, prokurori publik i ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, sepse ekziston rreziku që ata të arratisen ose ta përsërisin veprën penale.