Maqedoni

Edhe një fëmijë 15 vjeçar në mesin e udhëtarëve që kanë rënë në lumin Lepenec afër Bllacës

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të shënuar rreth orës 15:00 në aksin rrugor Shkup- V.K. Bllacë, ku një makinë e tipit “BMW” është aksidentuar dhe ka rënë në ujrat e lumit “Lepenc”.

Tv Telma ka raportuar se në mesin e tre udhëtarëve që po kërkohen gjendet edhe një fëmijë i moshës 15 vjeçare.

Edhe në mbrëmje vazhdojnë kërkimet për 3 personat e zhdukur, që pasditen e sotme me veturë të tipit BMW ranë në lumin Lepenc, në rrugën Shkup-Bllacë. Vetura është me targa të Kosovës, në veturë ishin gjithsej 4 persona, ndërsa nga MPB për TV21 konfirmuan se personi i 4 është shpëtuar dhe është dërguar në spitalin “8 Shtatori” në Shkup.

Gazetari i Klan Maqedoni, Furkan Saliu ka arritur të mësoj se 4 persona të familjes me mbiemrin Pacolli që ishin duke udhëtuar në momentin e fatkeqësisë me makinën “BMW” ishin duke u kthyer nga aeroporti i Shkupit për në Prishtinë ku kishin qenë për të marrë një familjar të tyre.

Nga MPB njoftojnë se njëri nga katër personat është nxjerrë nga lumi dhe është transportuar në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa vazhdojnë kërkimet për tre personat të tjerë.