Arrestohet edhe një serb i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri
Policia e Kosovës ka arrestuar këtë të shtunë në Jarinjë një serb, i cili dyshohet për sulm ndaj gazetërëve në veri të vendit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se i arrestuari është Dalibor Spasiq, të cilin e ka quajtur kriminel.
“Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministri në Facebook.
“Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dinë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”.
Ndryshe, Sveçla një ditë më parë ka njoftuar se është arrestuar edhe njëri nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj.
Ai ka bërë të ditur se i arrestuari është Nemanja Vllaskoviq, ndërsa ka thënë se i njëjti do të ballafaqohet me drejtësinë për sulmet e kryera ndaj gazetarëve.
“Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.