KFOR: Jemi në kontakt me serbët, Vuçiç: Policët e Kosovës ishin në tokën tonë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR po tregohet i kujdesshëm në mesin e një situate që rrezikon të përflaket shumë shpejt e njoftoi se është aktualisht në kontakt me autoritetet serbe për të marrë një informacion zyrtar mbi incidentin e ndodhur në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Policia e Kosovës insiston se tre efektivë u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të vendit, ndërsa në Beograd pretendojnë se policët kosovarë u arrestuan nga njësitë serbe të anti-terrorit brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
“KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje dhe po pret informacionin zyrtar nga autoritetet serbe lidhur me atë që ndodhi”, thuhet në njoftimin e tij.
Policët dyshohet të jenë rrëmbyer një ditë më parë gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia njoftoi menjëherë KFOR-in.
Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nga ana tjetër doli me pretendimin se tre policët u arrestuan 1.8 kilometra larg kufirit.
“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me armë”, u shpreh ai për Radio televizionin e Serbisë (RTS).
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelan ii hodhi poshtë më herët pretendimet se policët u kapën brenda territorit serb. Ai e quajti këtë një “rrëmbim klasik” nga forcat e njësive speciale serbe, dhe kujtoi sesi rrëmbyen edhe në 2011-tën forcat serbe dy zyrtarë policorë kosovarë.