Haradinaj: Të lirohen policët, Sveçla të japë dorëheqje – Kurti të ndalet
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar të lirohen menjëherë, policët e rrëmbyer nga njësia speciale policore e Serbisë. Ai u ka kërkuar ndihmë aleatëve ndërkombëtarë, që të bëjnë presion te Serbia, për një gjë të tillë.
Tutje, Haradinaj e ka cilësuar si përdhosje të uniformës policore, rrëmbimin e policëve të Kosovës, teksa ka kërkuar dorëheqje nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Sot vërtetë dhe është lajm i keq, kidnapimi i policëve tanë, përdhosja e institucioneve dhe uniformës tonë. Kërkojmë të lirohen menjëherë, lusim bashkësinë ndërkombëtare, për presion për Serbinë për lirimin e tyre, që akte të tilla të mos përsëriten. E ftojmë Sveçlën në përgjegjësi, në dorëheqje, sot është përdhosur uniforma institucioni i Policisë së Kosovës. E kuptojmë që Kurti ka marrë mandat drejt stabiliteti, dhe drejt forcimit me aleancën euroatlantike. Ky është interes i vendit, i kanë besu njerëzit. Kurti po shkon në drejtim të kundërt, nuk po e udhëheqë Kurtin në aleancën euroatlantike, e ka sjelllë Kosovën në palë të ndëshkuar”, ka thënë ai.
Tutje ai ka kërkuar përkrahje nga të gjithë në mënyrë që sipas tij të shkarkohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij po e rrezikon tej mase shtetin e Kosovës.
“Kurti po e rrezikon ekzistencën e republikës, dhe po synon me vetëdije në shkatërrimin e mëtejme të të arriturave. Është koha e duhur të krijohet një moment dhe një përkrahje kritike për ta ndalë kurtin. Mocioni apo çdo formë tjetër, mos me leju me shku me i përkeqësua marrëdhëniet me aleatët tanë të sigurisë. Kurti këto zhvillime dëshiron t’ia tregoj qytetarëve se janë fitore. A është fitore arrestimi i disa çetnikëve në veri sa me hupë amerikanë e NATO-n, dhe besimin e tyre. Do të ishte fitore nëse arrestohen ata me përkrahje të Amerikës dhe NATO-s”, ka thënë ai.
“Ju lus të bashkohemi ta krijojmë masën kritike, momentin kritik ta ndalim Kurtin, që t’i ndalim rreziqet për Kosovën”, ka vijuar ai.
Ndryshe, partia e Haradinaj, e ka iniciuar një mocion votëbesimi, por i njëjti nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera opozitare.