Kosovë

Osmani: Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën dhe gjithë rajonin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës, Serbia tregon se nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet, por për destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur të mërkurën është agresion nga ana e Serbisë.

“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar ajo.

Osmani ka shtuar se zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

“Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”, ka shtuar ajo.