Kasami: Heqja e 20 %, kusht për kushtetutën
Nëse Qeveria nuk propozon edhe zëvendësimin e 20% në Kushtetutë me gjuhën shqipe, Lëvizja Besa nuk do t’i mbështesë ndryshimet. Ky është qëndrim i prerë i kreut të Besës, Bilall Kasami i cili kërkon nga Qeveria që të ketë qasje të njëjtë si ndaj kërkesave bullgare edhe ndaj 20%.
“Duke pasur parasysh faktin që edhe për ndryshimet kushtetuese Qeveria nuk ka garanci se i ka siguruar 80 mandate dhe ta dërgon propozimin në Kuvend, ne i kërkojmë të njëjtën qasje të kësaj Qeverie edhe për 20%. Qeveria ta dërgon edhe propozimin tonë dhe disa deputetëve tjerë, në këtë rast të grupi të zjarrit në Kuvend dhe këtu ne si Lëvizje Besa garantojmë se i mbështesim ndryshimet. Nëse Qeveria mban inat me Lëvizjen Besa dhe nuk e fut në procedurë zëvendësimin e 20%, atëherë ne si Lëvizje Besa konsiderojmë se nuk e kemi për obligimin mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese”, Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Kasami përsëriti qëndrimin se nuk do të jetë pjesë e një Qeverie të zgjeruar apo kalimtare. Sipas tij, pas ndryshimeve kushtetuese duhet shkohet menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Për ne është i pranueshëm çdo format i Qeverisë, por në atë moment kur do të bëhen ndryshimet kushtetuese menjëherë të shpallen zgjedhjet. Qeverisje politike nuk mund të ketë pa përfaqësimin e shqiptarëve në atë Qeveri”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
“Flijimin” e BDI-së për hir të procesit integrues Kasami e vlerësoi si teatro qesharak për pikë politike, ndërsa Aleancën për Shqiptarët e vlerësoi si satelit të BDI-së në Qeveri. Sipas Kasamit, kreu i ASH-së ka vegime nga të cilat beson se VMRO-DPMNE-ja nuk e do atë në Qeveri.