Kolumna

Unë nuk shkoj përditë në Kosovë, por ajo vjen përditë tek unë

Shkruan: Vjollcë Berisha

Unë nuk shkoj përditë në Kosovë, por ajo vjen përditë tek unë. Bubullimat e gjëmimet e saj m’i mbushin qiejtë e zemrës.
Kështu ka qenë qëkur e mbaj mend veten. S’isha veçse një çilimi kur kuptova se kjo tokë nuk qe si atdhetë e tjera. Asaj i ndalohej të quhej Atdhe. Mu kjo qe hala në sy. Ajo tokë veç dheu i atit s’duhej të ishte. S’lejohej të ishte.

U rritëm me ëndrrën për liri. Ne na rrahu ai damari i fisit pandalë: “Tokë me nda nuk kam”.
Pastaj, herë pushka, herë lahuta…në udhën e lirisë.

Por, në mesin e tërë atyre që gjakuan lirinë, ne jemi më fatlumët. Ne që e pamë Kosovën e lirë, që e shijuam dhe e shkelëm tokën e saj të çliruar, e pamë tek ngritej krenaria e Kosovës shtet.

Mijëra zëra i kënduan ditës së çlirimit, i brohoritën ushtrisë sonë çlirimtare, valëzuan shamitë e mirënjohjes për trupat e ushtarëve të shteteve mike. Ende i dëgjoj këta zëra. Kjo ka mbetur e pandryshuar përherë. Edhe sot kur liria bën 24 vjet, edhe sot kur mëtohet të lëkundet besimi i palëkundshëm te shpresa, te mirënjohja e vlera të tjera qytetëruese si ajo.

Mund të thonë ç’të duan, mund të mbushen ditët me gënjeshtra e analiza, por ne s’e kemi harruar që dhjetëra këngë djepi nisnin me formulën e pashembullt “Nina-nana në Uashington…”

Ne e kemi shprehur dashurinë edhe kësisoj, e kemi të gdhendur në ndërdije besimin dhe mirënjohjen te miqtë tanë për shkak të Kosovës, ëndrrës e shpresës së lirisë.

Në themelet e kësaj lirie është gjaku i derdhur, është klithma grave-viktimë, është pritja për të pagjeturit, është krenaria për djemtë e vajzat tona çlirimtare.
Kjo e bën më të madhe kremten e lirisë, më të thellë plagën që pikon dhe më të përhershme vendin e Kosovës në zemrat tona.

Unë nuk shkoj përditë, por Ajo është përherë këtu… thellë. E bukur, e vlerë, e pandashme.