Maqedoni

Kovaçevski i kërkon Mickoskit që ta zbatojë ofertën dhe jo ta interpretojë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i bëri thirrje liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që të zbatojë atë që u tha, e të mos interpretojë propozimet nga mbledhja e lidershipit, sepse kërkesat e opozitës janë të pranueshme për LSDM-në dhe BDI-në. Kovaçevski theksoi se konkluzioni kryesor është se tani më VMRO-DPMNE nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Konkluzioni kryesor është se VMRO-DPMNE nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese. Më parë ata akuzonin se do të kishim humbur gjuhën dhe identitetin tonë nëse do të përfshinim bullgarët në Kushtetutë. Aty u diskutua se VMRO-DPMNE dëshiron të hyjë për të qenë pjesë e Qeverisë dhe LSDM është e gatshme të heqë pesë pozita ministrore. BDI shprehimisht e pranoi kërkesën e Mickoskit për të mos marrë pjesë në një Qeveri në të cilën është anëtare edhe VMRO-DPMNE. VMRO-së për herë të parë po i japim mundësinë që të marrë pjesë në marrjen e vendimeve strategjike për vendin”.

Kovaçevski tha se mospranimi i atij procesi nga VMRO-ja do të jetë një zhgënjim i madh për bashkësinë ndërkombëtare. Siç tha ai, ajo që ka kërkuar VMRO-DPMNE për ne dhe për BDI-në është e pranueshme. Partnerët e tjerë të koalicionit si PLD-ja dhe RDM-ja thanë se është e pranueshme dhe prandaj mendoj se duhet të zbatohet ajo që është thënë, e jo të interpretohet ajo, theksoi Kovaçevski.