Rama: Kurti e unë kemi qëllim të njëjtë, por rrugë të ndryshme! Drafti im për Asociacionin, kontribut për paqe!
Kryeministri Edi Rama ka komentuar qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës ndaj draftit të propozuar nga ai lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Gjatë fjalës së mbajtur në përvjetorin e 32-të të PS-së, Rama tha se ishte krenar për qëndrimet që socialistët kanë mbajtur gjatë qeverisjes ndaj Kosovës.
Rama tha se kundërshtimet e Kosovës dhe Serbisë për draft-statutin e propozuar nga ana e tij për Asociacionin, nuk janë të logjikshme përderisa nuk e dinë ende përmbajtjen. Ndërsa tha se arsyeja përse hartoi një draft projekt mbi këtë çështje është për faktin se Shqipëria nuk dëshiron tensione në rajonin ku ndodhet.
“Më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun është pritur mirë nga aleatët. Ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar, pa e ditur përmbajtjen si në Prishtinë dhe Beograd duke thënë se nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, u them dy gjëra. Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe hjo me cfarë tha.
E dyta ky rajon është edhe i yni, edhe i disa të tjerëve. Nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë akoma luftash ndërkohë që as njëra palë dhe as tjetra nuk i hapin dot njëra tjetrës jo luftë por asnjë të shtënë që kapërcen kufijtë sepse aty është Amerikë dhe NATO. Aleatëve po u soset durimi. Unë u them se nuk jemi fare të interesuar për lojë luftash por jemi kundër asaj lufte”- tha Rama.