Maqedoni

Arafat Muaremi paralajmëroi padi ndaj Villma Ruskovskës

Ish-drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi ka paralajmëruar padi ndaj prokurores tashmë të shkarkuar, Villma Ruskovska. Ai u shpreh i kënaqur nga zhvillimi i procedurave kundër tij, pasi Prokuroria Themelore Publike i hodhi poshtë si të pabaza të dy akuzat ndaj tij. Në komunikimin me gazetarët përmes Viberit, ai vlerësoi që kjo është një dëshmi se nuk ka punuar në mënyrë të paligjshme derisa ishte drejtor në Drejtorinë për Polici Financiare.

“Vendimet e Prokurorisë konfirmuan se institucioni të cilin unë e kam udhëhequr nuk ka pasur parregullsi dhe kundërvajtje në periudhën e udhëheqjes sime. Siç kam thënë më herët, kam të njëjtin qëndrim se sulmi ndaj meje ishte për interesa dhe qëllime personale, duke keqpërdorur edhe funksionin e prokurorit publik që të më dëmton muaj dhe Drejtorinë”, deklaroi Muaremi.

Dy kallëzimet penale ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë për Polici Financiare, Arafat Muaremi, janë vlerësuar si të pabaza nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup.