Maqedoni

Milanoviq: Fatkeqësisht ka mundësi që Shqipëria dhe Maqedonia të ndahen në negociatat për në BE

Fatkeqësisht, ekziston mundësia që Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut të ndahen në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, sepse Maqedonia e Veriut ka disa kushte që nëse nuk përmbushen, nuk do të mund të vazhdojë.

Kështu deklaroi presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, i cili me ftesë të kreut të shtetit bullgar, Rumen Radev, ndodhet për vizitë zyrtare në Bullgari.

Sipas tij, Shqipëria ndoshta do të mund të vazhdojë vetë procesin e negociatave.

“Tani do të arrijmë në atë pikë ku RMV ndoshta, nëse nuk i bën këto ndryshime kushtetuese për të cilat u angazhua, do të duhet të presë një kohë kur ta bëjë këtë. Është një kusht që ekziston, dhe të cilin BE-ja e ka pranuar”, komentoi Presidenti i Kroacisë, transmeton “BTA”.

“Maqedonia e ka nënshkruar këtë kusht dhe duhet ta përmbushë”, ka qenë kategorik Milanoviq.

Ai komentoi se të gjithë vendet duhet të jenë pjesë e BE-së, përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë.