Kolumna

Bashkëpunimi i PD me Ramën do të ishte legalizim i krimit zgjedhor

Kim Mehmeti

Dhe më tragjikja që nxorën në sipërfaqe këto zgjedhje nuk është vetëm krimi zgjedhor, por e vërteta se Shqipërisë i mungojnë shqiptarët e saj dhe se ajo është katandisur udhës që të mbetet vetëm me votuesit ‘Rilindjes’, numri i të cilëve nuk pakësohet edhe kur vendin e braktisin me qindra mijë shqiptarë. Pra u pa se gjitha këto parti së bashku që kanë fituar deputet, nuk përfaqësojnë as 40 për qind të votuesve dhe se Shqipërinë e drejton vullneti politik i 20 për qind të shqiptarëve.

Andaj pa zërin e mërgatës, zgjedhjet në Shqipëri bëhen të pakuptimta e të rrejshme. Njësoj siç është e rrejshme edhe ftesa e Piktorit drejtuar PD-së për bashkëpunim, e cila i ngjanë orvatjes së hajdutit t’i legalizojë parat e vjedhur. Pra me këtë ftesë ai tenton ta legalizojë krimin e vet zgjedhorë.

Dhe këto zgjedhje mund të jenë paralajmërim se gjatë mandatit të tretë të saj, ‘Rilindja’ do vazhdojë që suksesshëm t’i realizojë projektet e veta nga e shkuara: nxitjen e grindjeve brendashqiptare, shpopullimin e vendit, largimin e Shqipërisë nga Kosova , defaktorizimin e mëtejmë të shqiptarëve në Ballkan dhe përkrahjen e projekteve serbe.

Këto zgjedhje shpërfaqën edhe më qartë se “Rilindja” është aleancë ku çdo gjë funksion sipas mendësisë Enveriste – të gjithë për partinë e udhëheqësin e saj, e askush për shtetin, për dallim nga PD-ja e cila nuk është pastruar nga ata që çdo gjë e duan për vete, duke mos i lënë asgjë partisë.

Ndërkohë duhet pranuar se “Rilindja” është punëtori që e harxhon lëndën e parë të quajtur Shqipëri, për të prodhuar gënjeshtra e zhurmë, që do e shlyejnë kufirin mes të vërtetën dhe të rrejshmen për mëmëdheun, që do e mbulojnë zërin e të vërtetës për çdo mëkat e krim që bëjnë drejtuesit e sajë.

Dhe duhet thënë se Enveri mbahej në pushtet duke i vrarë armiqtë e duke i kontrolluar të vërtetat që do ia thotë popullit, ndërkaq “Rilindësit” e sundojnë Shqipërinë duke i heshtur kundërshtarët politik dhe duke e shpopulluar vendin.

Kështu që ajo që i bënë thuajse të njëjtë Partinë e dikurshme të Punës dhe “Rilindjes” është se shteti i shërben partisë, e jo partia shtetit dhe se patriotizmi e atdhedashuria, maten nëpërmjet asaj sa i shërben partisë, e jo vendit e popullit tënd.