Maqedoni

Agellov: Ali Ahmeti ka treguar gatishmëri për dëmshpërblimin e “branitellave”

Ish-branitelli Stojanço Angellov pretendon se ka marrë dritë jeshile nga kreu i LSDM Dimitar Kovaçevski dhe Kreu i BDI Ali Ahmeti për iniciativën për dëmshpërblimin e “Branitellave” të 2001. Partia Dinjiteti, që është në qeverisje me LSDM dhe BDI vuri kusht se do të largohet nga koalicioni nëse nuk përmbushët kërkesa e tyre e ngritur nga dhjetori. Angellov thotë se pëlqimin për nisëm e tij e mori në takimin e djeshëm të partnerëve të koalicionit qeveritar.

“Falënderime për kryetarin e LSDM Kovaçevski për dhënien e dritës jeshile që kjo iniciativë të hyjë në fazën përfundimtare, po ashtu falënderime edhe për Ali Ahmetin për gatishmërinë për bisedime që kjo nismë të kalojë. I falënderohemi edhe kreut të VMRO-së Mickovski dhe deputetit Kovaçki, i cili para një muaji dorëzoi propozim-ligj për plotësimin e Ligjit që ne patëm ofruar zgjidhje të ngjashme me të cilin do të tejkalohej ky problem. Duke ditur që neve ‘Dinjitet’ nuk do të na miratohej propozim ligji në Kuvend, ne adresuam iniciativë në Qeveri se këtë problem mund ta tejkalohet me vendim të ekzekutivit, prej të cilës presim miratim, njësoj sikurse solli Qeveria e Nikolla Gruevskit për Lagjen e Trimave në 2015”, tha Stojançe Angellov, Partia “Dinjiteti”.

Por, pasi u përmend emri i Ahmetit në mbështetje të iniciativës për dëmshpërblim të ri të branitellave, reagojnë nga Shoqata e OVL-UÇK-së. Kryetari Besim Hoda tha se partia politike në pushtet BDI, që doli nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare 2001, para se ti dëmshpërblejë sërish branitellat, të rregulloj me ligj statusin e veteranëve të luftës dhe të familjeve të dëshmorëve, prijës i të cilëve ishte vet Ali Ahmeti.

“Branitellat brenda 22 viteve kanë realizuar disa herë të drejtat e tyre me ndryshimet Kushtetuese ose nene plotësuese, një invalid lufte maqedonas merr 1,500 euro, për çdo të rënë maqedonas familja merr nga 800 euro dhe fëmijët e tyre nga 150 euro që arrijnë një rrogë të majme. Ajo që është më injoruese dhe e dhimbshme jo që nuk u përpoq asnjëherë seriozisht zgjidhja e statusit të veteranëve UÇK-së me ligj, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës por ne sot e kësaj dite në Kushtetutën e Maqedonisë, duke marr direkt nga legjislativi jugosllav trajtohemi si terroristë dhe si kriminelë”, thonë nga Shoqata OVL-UÇK.

Partia e Ahmetit disa herë u arsyetua se nuk ka mundur të miratojë një ligj për UÇK-në pasi s’ka pasur mirëkuptim te partitë maqedonase. Së fundmi Lëvizja Besa paralajmëroi zgjidhje ligjore për statusin e ish UÇK-së. /Alsat.mk