Tensione në Qeveri? Ministri i LSDM-së akuzon qeverinë Gruevski-Ahmeti si fajtore për ikjen e rinisë
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi tha se politika e Qeverisë së kaluar ka lënë pasoja në tregun e punës, për shkak se siç tha ai, fuqia punëtore është shitur për pak para dhe se si rrjedhojë njerëzit kanë migruar dhe po vazhdojnë të migrojnë, përcjell TV21. Bytyqi tha se qytetarët ende nuk janë bindur se edhe në Maqedoninë e Veriut mund të gjendet vend i punës ku punonjësi paguhet mirë.
“Mendoj se politikat konsistente japin rezultate. Kur keni periudhë në tërheqjen e investimeve të huaja ku fuqia punëtore shitet si e fuqi punëtore e lirë, pasoja e asaj politike është gjendja e sotme, kjo është që qytetarët nuk besojnë se në vendin tonë hapen vende pune ku paguhet mirë. Politika jonë nga viti 2017 është konsistente, e kjo është që çdo vend i punës që do të hapet nga kompanitë e huaja dhe të vendit, e që do të duhet të marrë mbështetje nga Qeveria, duhet të jetë vend pune me dinjitet që do të paguhet, ne në ligje tashmë kemi thënë se mbështetje mund të merret vetëm nëse rroga është mbi 50 për qind më shumë se paga minimale, që i bie diku paga mesatare në vend”, tha Bytyqi.
Kjo deklaratë e Bytyqit ka shkaktuar dyshime te një pjesë e analistëve politikë per ngjalljen e tensioneve mes LSDM dhe BDI, sepse kritikat e Bytyqit i dedikohen qeverisë së udhëhequr nga Gruevski dhe Ahmeti, shton Lideri.mk.