Maqedoni

Krasniqi: Maqedonia po ndërton Korridorin 8, përgëzoj faktorët politikë shqiptarë në krye me Ahmetin dhe Grubin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se është lajm shumë i mirë fillimi i projektit për ndërtimin e korridorit 8 në Maqedoni të Veriut – autostradës moderne që pritet të lidhë vendbanimet shqiptare prej Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Bokujçanit, Strugës e deri në Qafëthanë.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se me një gjatësi prej 68 kilometrave, kjo autostradë me gjashtë korsi, do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në lidhjen, afrimin dhe fuqizimin e shqiptarëve të cilët jetojnë nëpër këto qytete.

“Përgëzoj faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni të Veriut, në krye me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, por edhe Zëvendës Kryeministrin Artan Grubi, të cilët po bëjnë një punë shumë të rëndësishme për shqiptarët që jetojnë atje. Fatkeqësisht, të njëjtin ritëm të punës dhe zhvillimit nuk po e përjetojmë në Kosovë. Qeveria e cila është zgjedhur për të punuar, me përjashtim të urës 3-metërshe në Saradran të Istogut, ka vendosur ta kaloj mandatin e saj pa asnjë projekt që përmirëson konkretisht dhe denjësisht jetën e qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.