Dallime mes partive shqiptare për njësitë zgjedhore në Maqedoni
Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, në veçanti ato maqedonase, kanë aktualizuar sërish kërkesën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për njësitë zgjedhore, nga gjashtë sa janë aktualisht, në një njësi zgjedhore.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë, thotë se modeli zgjedhor duhet të jetë garantues për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Parlament, por edhe të bashkësive tjera etnike.
Arbër Ademi nga BDI-ja thotë se sikur të ketë miratim për një njësi zgjedhore, atëherë duhet të ketë edhe prag zgjedhor sikurse edhe për lista të hapura.
“Duhet të kemi një model, i cili do të reflektojë më së miri strukturën heterogjene të shoqërisë. Prandaj, jemi të interesuar që të debatojmë, dhe mbi bazën e argumenteve edhe të vendosim. Nëse flasim për një njësi zgjedhore, atëherë duhet të flasim edhe për prag zgjedhor prej pesë për qind, si dhe për lista të hapura”, vlerëson ai.
Edhe partitë tjera shqiptare janë kundër një njësie zgjedhore. Madje, Aleanca për Shqiptarët ka dalë me propozimin për tetë njësi, ndërsa Lëvizja Besa për tri njësi zgjedhore. Asnjëra prej tyre nuk pranon një njësi zgjedhore, siç kërkojnë partitë e vogla maqedonase, të cilat mbështeten edhe nga VMRO-ja dhe LSDM-ja.