Maqedoni

Komuna e Tetovës: Qeveria ka refuzuar kërkesën për dëmshpërblimin e tetovarëve që pësuan dëme nga vërshimet

Komuna e Tetovës njofton se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka refuzuar kërkesën e tyre për dëmshpërblimin e qytetarëve të cilët pësuan dëme gjatë vërshimeve në vitin 2022.

“Informojmë opinionin se Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë elementare i formuar nga qeveria nuk e ka marrë aspak parasysh raportin e komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet e vitit 2022, edhe përkundër faktit se qeveria e ka për obligim ligjor që të ndihmojë zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Ne konsiderojmë se ky vendim i qeverisë për të mos ndihmuar banorët e prekur nga vërshimet ka prapavijë politike si rezultat i humbjes së dyfishtë që pësoi partia politike që është në pushtet.

Në anën tjetër e informojmë opinionin me faktin se gjatë kohës së vërshimeve në Tetovë, në vitin 2022 nuk ka funksionuar këshilli komunal dhe si rezultat i kësaj nuk ka qenë e mundur të formohet komision për vlerësimin e dëmeve, por edhe përkundër kësaj komuna me të gjitha mjetet që ka pasur në dispozicion u ka dalë në ndihmë banorëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës thonë se pas zgjedhjeve për këshillin komunal u formua edhe komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuar nga vërshimet në vitin 2022 me çka përgatiti raportin final, raport ky që nuk u pranua nga Komisioni për vlerësimin dhe përcaktimin e dëmit nga fatkeqësitë elementare i formuar nga qeveria e RMV me arsyetime banale madje edhe politike./Telegrafi/