Maqedoni

Sashko Georgiev u zgjodh kryetar i Këshillit Gjyqësor në Maqedoni

Këshilli Gjyqësor sot në një seancë të jashtëzakonshme me tetë vota “pro” dhe katër kundër zgjodhi për kryetar të ri gjyqtarin Sashko Georgiev, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Seancën e drejtoi zv. kryetari Selim Ademi, i cili para votimit theksoi se Kryetari i Këshillit Gjyqësor zgjidhet me tetë vota nga anëtarët me të drejtë vote.

Në seancë nuk mori pjesë kryetarja e mëparshme e këshillit, Vesna Dameva.

Para votimit, Georgiev tha se ndjehet krenar për propozimin që i është bërë dhe se ai e pranon propozimin vetëm nëse të gjithë e mbështesin.

“Pres vetëm që të gjithë së bashku të japim kontribut për të rikthyer besimin, mbi të gjitha, mes nesh dhe qytetarëve. Prandaj ju ftoj, nëse ky propozim del i sinqertë, këtë sfidë do ta pranoj vetëm si të bashkuar. Ju ftoj të gjithëve që të kontribuoni, nëse qëndroni prapa meje e pranoj propozimin”, tha Georgiev.

Vesna Dameva u shkarkua në mënyrë të papritur të mërkurën e kaluar në një seancë publike të Këshillit Gjyqësor, ndërsa shkak i drejtpërdrejtë i shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të futur një pikë të re në rendin e ditës dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja amerikane Angela Aggeler. Shkarkimi i saj u iniciua nga zv. kryetari, Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia./Telegrafi