Maqedoni

Pendarovski nuk do ta nënshkruaj ligjin për 60 orë punë në javë

Presidenti Stevo Pendarovski thotë se nuk e ka parë marrëveshjen me Behtel dhe Enka për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Tha se po e pret debatin në Kuvend për marrëveshjen pas çka do të kërkojë që ta shohë të njëjtën.

“Nuk e kam parë, e dini se është bërë deklasifikim i pjesshëm për deputetët të cilët kanë certifikatë sigurie, do të thotë se unë nuk e kam parë në formë origjinale. Së pari dua ta shoh debatin në Kuvend, punën në Komision dhe të shohim se cilat pyetjet do të rrjedhin nga debati, edhe pse e dini qëndrimin tim, thashë se dua që t’i shoh versionet përfundimtare të të gjitha 8 ligjeve, mendoj se janë në procedurë në Kuvend, edhe Kushtetuta e kërkon këtë prej meje, që të prononcohem për secilin prej tyre.”- deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Nëse miratohet ligji për 60 orë punë në javë, paralajmëroi se nuk do ta nënshkruajë dekretin për ndryshimin e ligjit për marrëdhënie pune.

“Jo, nëse mbetet në këtë version, jo, për shkak se tashmë ekziston vendim, me fjalor juridik kjo quhet Judicata. Gjykata kushtetuese vitin e kaluar e shpalli këtë dispozitë në një ligj tjetër si jokushtetuese. Pra nuk mund t’i përsëritim gabimet. Edhe po ta nënshkruaj, por nuk do ta nënshkruaj nëse është dispozita e tillë, është e qartë se Gjykata Kushtetuese duke e ndjekur vendimin e saj paraprak, përsëri do ta shpallë si jokushtetuese.”- tha Stevo Pendarovski, President.

Nga VMRO-DPMNE edhe sot me kritika për marrëveshjen, akuzojnë se nëse duhet arbitrazh, përjashtohet jurisprudenca e vendit dhe do të zbatohen ligjet e Anglisë dhe Uellsit.

“Qeveria gjatë lidhjes së marrëveshjes më të madhe me peshë më të madhe financiare për buxhet, në kushte të krizës dhe inflacionit, në kushte të kolapsit ekonomik, nënshkruan marrëveshje me të cilën e suspendon jurisprudencën maqedonase. Bëhet fjalë për marrëveshje që po fshihet nga opinioni publik, duke u bazuar në ligje që nuk ekzistojnë në Maqedoni, si për shembull 60 orë punë në javë, shkelje të ligjeve për urbanizëm, ndërtime pa leje, ndërtime mbi lokalitete arkeologjike dhe shumë pika të tjera.”- tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE.

Opozitarja VMRO-DPMNE kërkon që ta shohë marrëveshjen brenda 10 ditëve, e pastaj të ketë debat në komisionin kuvendor. Nga pushteti vazhdimisht përsërisin se opozita me akuzat e saj vetëm po përhap gënjeshtra dhe manipulime, ndërsa ndryshimet e ligjit për 60 orë punë në javë është që të rregullohet puna jashtë orarit të punës me çka ndërtimi i korridorit do të bëhet më shpejt dhe me kosto më të ulët.