Ulet numri i administratorëve në Maqedoni për 2.714, përfaqësimi i shqiptarëve mbi 21 për qind!
Në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut punojnë 129 374 persona, bazuar në raportin e të të punësuarve në sektorin publik për vitin 2022. Krahasuar me vitin 2021 ka një rënie prej 2714 punonjësish, transmeton Lideri.mk.
Numri i përgjithshëm i institucioneve shtetërore është 1.354 dhe krahasuar me vitin 2021 ka një rritje prej tetë institucioneve. 60.7 për qind e institucioneve janë në nivel lokal, 39.3 në nivel qendror.
“Numri më i madh i të punësuarve në sektorin publik janë nga arsimi, 34%, shëndetësia 18%, administrata 13%, punët komunale 9%, puna dhe politika sociale 7%, pushteti vendor 5%, transporti dhe kultura nga 3%, bujqësia, pylltaria dhe drejtësia me 2% secila dhe aktivitetet tjera me gjithsej 4%”, tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu.
Në organet e pushtetit ekzekutiv janë të punësuar 14.531 persona. Numri i këtyre të punësuarve është 13 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në sektorin publik. Krahasuar me vitin 2021, numri i të punësuarve në qeverinë e shtetit është ulur me 771 persona. Vetëm nga ministritë janë larguar 302 persona. Në raport thuhet gjithashtu se në një numër të madh të institucioneve, gjithsej 504, ka deri në 50 të punësuar, dhe vetëm 20 institucione kanë mbi 500 të punësuar.
Në sektorin publik punojnë 56,29% femra dhe 43,71% meshkuj. 71 për qind janë maqedonas, 21.6% shqiptarë, 2.42% turq, 1.49% romë, 1.4% serbë, transmeton Lideri.mk.
Në vitin 2022 numri i të punësuarve në sektorin publik të cilët janë doktorë shkencash dhe master është në rënie, kurse rritet numri i të punësuarve me arsim fillor. Siç tha ministri Aliu, 55.85% e të punësuarve janë me arsim të lartë. (Lideri.mk)