Presidentja Vjosa Osmani sot vjen në Shkup, pritet të përsërisë qëndrimin kundër “Open Ballkanit”
Presidenti Stevo Pendarovski, sot do të presë Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Presidentja Osmani-Sadriu do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në një ceremoni zyrtare në Kabinetin e Presidentit, e më pas do të ketë takim kokë më kokë të presidentëve Pendarovski dhe Osmani-Sadriu dhe takim plenar i delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Burime të portalit Lideri.mk nga Prishtina kanë thënë se presidentja Osmani pritet që edhe njëherë në Shkup të përsërisë qëndrimin e saj të njohur kundër projektit “Ballkani i Hapur”.
Kurse për presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski nuk dihet ende nëse do ta përsërisë sërish qëndrimin kundër “Ballkanit të Hapur” që e pat shprehur gjatë vizitës së tij në Prishtinë.
Në kuadër të vizitës zyrtare, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, me kryetarin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski dhe do të mbajë fjalim në një seancë ceremoniale në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë të enjten (27.04.2023) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu për vizitë zyrtare do të qëndrojë edhe në Komunën e Tetovës, ku do të zhvillojë takim me kryetarin Bilall Kasami. (Lideri.mk)