Maqedoni

Zeqirija Ibrahimi për Klan Kosova: Heqja e lëndës së historisë mund të ketë prapavijë ideologjike! (Video)

Sekretari i partisë Alternativa, Zeqirija Ibrahimi, në një deklaratë për Klan Kosova, ka folur për konceptin e ri të arsimit, sipas të cilit mund të hiqen lënda e historisë, gjeografisë, ndërsa etika e religjionit të zëvendësohet me atë të edukimit seksual. Ibrahimi ka thënë se heqja e lëndës së historisë mund të ketë prapavijë ideologjike.
“Ka mundësi të ketë edhe prapavija ideologjike, që kanë për qëllim që të shlyhet kujtesa kolektive e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që mund të jetë, si të thuash mjet i përplasjeve ndëretnike në shpjegimin e të kaluarës. Propozimi nuk ka kaluar fare në Kuvend por si propozim i Ministrisë së Arsimit ka kaluar vetëm në Qeveri dhe tash më Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka hapur edhe konkurs për tekstet e reja shkollore ku nuk është e përfshirë edhe lënda e historisë”, ka deklaruar Zeqirija Ibrahimi.
Kujtojmë se ditë më parë, Alternativa e ka kundërshtuar ashpër modelin e ri, duke thënë se i njëjti bie ndesh me interesat autoktone shqiptare.
Ata i kanë bërë thirrje ministrit të Arsimit, që ta tërheq këtë propozim, ngase në të kundërtën do të përballet me reagime të fuqishme.